Raporti i Fao-s:tepër i lartë çmimi i ushqimit në Vendet e varfra
(11.11.2009 RV)Drejtori i përgjithshëm i FAO-s kërkon grevë botërore urie
për të drejtën e ushqimit. Konferencë shtypi e drejtorit të përgjithshëm të FAO-s,
Zhak Diëf, sot paradite në Romë, vetëm pesë ditë para nisjes së mbledhjes botërore
mbi ushqimin, e cila do të hapet më 16 nëntor e do të zgjasë tri ditë. “Uria
mund të zhduket”, tha Zhak Diëf, duke i ftuar gazetarët ta ndjekin me vëmendje
mbledhjen, e cila hapet me një dështim. Në fakt, të varfërit në botë nuk janë pakësuar,
siç parashikohej ndër objektivat e Mijëvjeçarit të Tretë, për të cilat numri i të
uriturve duhej të zvogëlohej nga 800 në 400 milion, brenda vitit 2015. Por në vitin
2009, numri i tyre jo vetëm që nuk është zvogëluar, por ka arritur shifrën marramendëse
prej 1 miliard e 200 mijë. Pra, një ndër 6 banorë të tokës vuan nga uria e çdo 6 sekonda
vdes një fëmijë. Nuk është vetëm problem moral, është kërcënim për paqen e sigurinë.
Krerët botërorë nuk mund t’ia lejojnë vetes të dështojnë sërish, nënvizoi kreu i Organizatës
për Ushqimin dhe Bujqësinë. Për të dalë nga situata, sipas Zhak Diëf, 17% e ndihmave
për zhvillim, pra 44 miliardë dollarë në vit, duhet të shkojnë për bujqësinë. E së
fundi, ai kërkoi nga të gjithë një ditë greve urie në shenjë solidariteti. Vetë Zhak
Diëf do të bëjë këtë të shtunën.