2009-11-11 18:59:50

Papa në audiencën e përgjithshme: kush e ka për zemër humanizmin e vërtetë dhe ardhmërinë e Evropës, të vlerësojë e të mbrojë rrënjët kulturore e fetare të Kontinentit.


(11.11.2009 RV)Evropa është ruajtëse e një trashëgimie të pasur vlerash kulturore e fetare, të rrënjosura njëmijë vjet më parë nga manastiret e Urdhërit të Klyni-t. Kush e ka për zemër ardhmërinë e Evropës, ta vlerësojë e ta mbrojë këtë humanizëm të krishterë. Me këtë mendim e përfundoi Benedikti XVI katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI. Papa bëri edhe një thirrje të fuqishme në favor të të shpërngulurve për shkak të luftës, në Sri Lankë, duke i nxitur Bashkësinë Ndërkombëtare dhe autoritetet e vendit, të gjejnë sa më shpejt, rrugën për rivendosjen e paqes.

Shpirt e humanizëm. Sendet e Zotit, të përkujdesura si sendet e njeriut, si kur bëhet fjalë për përmirësimin e liturgjisë, ashtu edhe për zhvillimin e bujqësisë e të artizanatit, përhapjen e kuptimit të lutjes a të kulturës, praktikimin e dashurisë së krishterë ndaj të varfërve, apo shkollimin e fëmijëve. Protagonistët e këtij revolucioni vigan shoqëror e fetar në Mesjetë – shpjegoi Benedikti XVI – qenë rreth 1200 manastire të Urdhërit të Klyni-t. Një lëvizje tejet e gjërë, po të kemi parasysh epokën, e cila duke përtërirë jetën e kuvendeve, e rinoi edhe atë të mbarë kontinentit, sipas përshpirtërisë punëdashëse benediktine, sot pjesërisht e varfëruar. Në rrethana jo pak të vështira – rreth vitit njëmijë – ngarkuar me pushtime, varfëri të skajshme, vartësi të abacive nga zotërinjtë e vendit, ky revolucion – shpjegoi Papa - nisi nga brenda, nga zemra njerëzore:
“Klyni përfaqësoi shpirtin e një përtëritjeje të thellë të jetës murgare, për ta çuar rishtas tek frymëzimi i zanafillës. Në Klyni rifilloi respektimi i Rregullës së Shën Benediktit, me disa përshtatje, shtuar nga reformatorë të tjerë. Posaçërisht u synua në garantimin e rolit qëndror, që duhet të ketë Liturgjia në jetën e krishterë”.
Vëmendja, që iu kushtua liturgjisë, ishte tejet e madhe, nga që - vërejti Papa – murgjërit e Klyni-t qenë të bindur se, përmes saj, merrnin pjesë në liturgjinë e qiellit. Arti, arkitektura, muzika kishtare: të gjitha u përdorën për të zbukuruar ritet e për t’i bërë sa më solemne. Kjo përshpirtëri e thellë nga e cila, me shtytjen e papëve e të princave, lindi një rrjet i dendur bashkësish klyniaçense – ndikoi fuqimisht edhe mbi Kishën universale. Dy – vijoi Papa – ishin të këqijat e mëdha, që rëndonin mbi Kishën e kësaj periudhe: simonia, domethënë blerja e posteve baritore me para - dhe imoraliteti i klerit shekullar:
"Abatët e Klyni-t, me autoritetin e tyre shpirtëror, murgjërit klyniaçensë, që u bënë ipeshkvij, e disa edhe papë, qenë protagonistët e një veprimtarie vigane për përtëritjen shpirtërore. E frytet nuk munguan: çelibati i meshtarëve nisi të vlerësohej e të jetohej përsëri; e përsa u përket posteve kishtare, filluan të ndiqen disa procedura më të tejdukshme”.
Falë këtij urdhëri murgar, pastrimi i Kishës u shoqërua me një rizgjim të thellë shoqëror. Murgjërit, që u bënë të njohur për një bamirësi prekëse në të gjitha shtëpitë e tyre – vërejti Benedikti XVI – krijuan edhe dy institucione – të quajtura ‘armëpushimi Zotit” e ‘ paqja e Zotit’ – që iu kundërvunë frymës së hakmarrjes, tejet e theksuar në këtë epokë, duke fituar periudha të gjata pa luftë si dhe respektimin e vendeve të shenjta:
Në vetëdijen e popujve të Ervropës lulëzonte kështu ai proces, që do të çonte në njohjen gjithnjë më të qartë të dy elementeve themelore për ndërtimin e shoqërisë. Qenë: vlera e njeriut dhe vlera e madhe e paqes”.
Një mijë vjet më parë, kur ishte në kulmin e zhvillimit procesi i formimit të identitetit evropian – nënvizoi Papa – përvoja klyniaçense, e përhapur në Itali, Francë, Spanjë, Gjermani, Hungari e gjetiu, dha ndihmesën e vet të rëndësishme e tejet të çmuar:
“Kujtoi përparësinë e vlerave të shpirtit; mbajti zgjuar tensionin për sendet e Zotit, theksoi se vendi i parë i përket Hyjit; frymëzoi e favorizoi nisma e institucione për promovimin e vlerave njerëzore; edukoi me frymën e paqes. Të dashur vëllezër e motra, të lutemi që të gjithë ata, të cilët e kanë për zemër humanizmin e vërtetë dhe ardhmërinë e Evropës, të rizbulojnë, të vlerësojnë e të mbrojnë trashëgiminë e pasur kulturore e fetare të këtyre shekujve”.
Para se të jepte bekimin përfundimtar, Benedikti XVI përshëndeti posaçërisht pjesëmarrësit në shtegtimin e organizuar nga familja e Dishepujve dhe Shërbëtoreve të Zotit, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së themeluesit, Atë Gjovani Minoci, që vijon të njihet si apostull i përvujtë e guximtar i dashurisë së Zotit ndërmjet të varfërve në zonat jugore të Italisë. E një përshëndetje tjetër, tejet e përzemërt, ishte ajo, që Papa u drejtoi oficerëve e nxënësve të Rojes së Financës të Kazermës së Kopitos, pranë Akuilës, të cilët u bënë pikëmbështetje e shembull i gjallë i solidaritetit për popullsinë, gjatë tërmetit të prillit të kaluar, që dëmtoi rëndë gjithë zonën e Abruceve.







All the contents on this site are copyrighted ©.