2009-11-11 19:05:08

Konferencë kushtuar priftit dom Simon Filipaj që përktheu në gjuhën shqipe Biblën e plotë


(11.11.2009 RV)Konferencë përkujtimi kushtuar priftit shqiptar që përktheun në gjuhën shqipe Biblën e plotë, dom Simon Filipajt.
Sot para dite në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u mbajt konferenca shkencore me temën "Filipaj dhe Bibla shqip" kushtuar veprës së priftit shqiptar Dom Simon Filipajt (1925-1999), organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Institutin Filozofik dhe Teologjik të Seminarit ndërdioqezan të Shkodrës .
Në këtë konferencë folën Prof. Ardian Marashi mbi temën"Bibla, matricë e leximit dhe e interpretimit të botës", Dom Nik Ukgjini "Dekada e dëshmisë së Filipajt", Prof. Kolec Topalli "Përkthime të Biblës në ballafaqim: nga Buzuku te Filipaj", Prof. Xhevat Lloshi "Një përvojë e re: përkthimi besnik i domethënies", Zefjan Nikolli "Probleme dhe vështirësi në përkthimin e Biblës", Prof. Shaban Sinani "Kënga e këngëve" e tjerë.
Në vazhdim u shfaq filmi dokumentar "Heronjtë e Librit" dhe prezantuan në një ekspozitë dorëshkrime, dokumente, objekte personale, fotografi të Dom Simon Filipajt me rast 10-vjetorin e vdekjes.
Po kujtojmë se për herë të parë, Bibla e plotë në gjuhën shqipe e përkthyer nga dom Simon Filipaj u botua në vitin 1994nga shtëpia botuese ‘Drita’. Po këtë më datën 24 tetor don Simon Filipaj ia dhuroi një kopie të Biblës në gjuhën shqipe Papës Gjon Palit II në Vatikan.
Siç dihet përkthimi e botimi i Biblës për çdo gjuhë, kohë e hapësirë është ngjarje e dorës së parë, së pari kuptohet fetare, por hiq më pak edhe kulturore, për ne shqiptarët besoj edhe me rëndësi e domethënie historike. E themi këtë duke pasur para sysh se gjuha, tradita, kultura shqiptare është ngusht e lidhur me atë biblike sa që pa teprim mund të pohojmë se historia e përkthimeve biblike, e teksteve bibliko-liturgjike, katekistike është edhe historia e letërsisë së vjetër shqipe.
Dihet se Bibla e plotë ishte përkthyer dy herë më parë gjatë historisë sonë shqiptare, së pari nga Grigori i Durrësit (?-1772) dhe Teodor Haxhi Filip (1730-1806), por për rrethana historike nuk u botuan kurrë dhe dorëshkrimet fatkeqësisht nuk dihet se si dhe ku përfunduan. Koha e përkthimit dhe e botimit të Biblës së plotë shqip erdhi vonë, më 1994. Po një gjë është e sigurt: kurrë s’ është vonë të përcaktohemi për qytetërimin e dashurisë e të dritës, që është edhe porosia thelbësore e Biblës, e Fjalës së Jetës.
****
TIRANË, PËRKUJTOHET 15 VJETORI I PËRKTHIMIT TË PLOTË TË BIBLËS NË GJUHËN SHQIPE NGA DOM SIMON FILIPAJ
Nga ATSH-ja Semi/- Bibla, libri i Shenjtë, i cilësuar si libri i të gjitha kohëve, ka shënuar në pjesën më të madh të rasteve dhe shënimet e para të gjuhëve të ndryshme të botës. Kjo ka ndodhur dhe me fillesat e gjuhës shqipe, të cilat datojnë me shkrimin e Mesharit nga Gjon Buzuku. Buzuku në mënyrën e tij ka sjellë një përkthim të përshtatur të disa prej ungjijve të Biblës, e më pas kanë tentuar të tjerë emra të njohur të letrave si Bogdani e Kristoforidhi.
Kur kishin kaluar plot katër shekuj e gjysmë nga nisma e parë e përkthimit të Biblës, dom Simon Filipaj solli në shqip versionin e parë të plotë të librit të shenjtë.
Për të kujtuar 15 vjetorin e botimit në shqip të biblës dhe njëkohësisht 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të përkthyesit të saj, u zhvillua paraditen e sotme në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar një veprimtari përkujtimore-shkencore. Në këtë veprimtari të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin Filozofik dhe Teologjik u vlerësua nga të pranishmit figura dhe roli mons Simon Filipajt.
I pranishëm në konferencë, studjuesi Kolec Topalli e cilësoi përkthimin e librit të shenjtë të biblës si një ngjarje të shënuar. "Përkthimi i këtij libri ka qënë ëndrra dhe synimi kryesor i të gjithë personaliteteve të letërsisë sonë, pasi ata donin të njihnin popullin shqiptar me mendimet e shenjta, trashëgimi e të gjithë botës", u shpreh Topalli. Më tej ai shtoi se "Përkthimi i Filipajt përfaqson në të gjitha mënyrat shqipen moderne të shekullit XX-të. Përmes këtyre përpjekjeve të Buzukut, Bogdanit, Kristoforidhit de Filipajt dallohet evoluimi i gjuhës shqipe".
Në fjalën e tij Kolec Topalli solli gjithashtu një krahasim shkencor mes përkthimeve të biblës të realizuara deri më sot duke cilësuar përkthimin e Gjon Buzukut si një libër të thjeshtë meshe; të Pjetër Bogdanit si një libër ku autori krahas disa përkthimeve ka përfshirë dhe shpjegimet e tij; ndërsa përktimet e Kostandin Kristoforidhit dhe Simon Filipajt si përkthime integrale të cilat i qëndrojnë besnike origjinalit.
Ndërkohë drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi e vlerësoi tentativën e përkthyesve për të sjellë në gjuhë të ndryshme librin e shenjtë, si artin më të madh të botës, pasi bibla përbën aktin e parë dhe të fundit të jetës.
Përkthimi i parë i plotë i biblës në gjuhën shqipe u realizua në vitin 1994 nga kleriku i shquar i kishës katolike, dom Simon Filipaj, pas 40 viteve punë dhe përpjekje. Botimi i kësaj vepre të plotë në gjuhën standarde u mundësua nga nga shtëpia botuese "Drita" në Ferizaj.
Simon Filipaj u lind më 1 maj të vitit 1925 në fshatin Kllezën e Ulët në Ulqin të Malit të Zi. Në vitin 1932 filloi shkollën fillore dy vjeçare në Selitë. Të gjitha vitet e shkollës ai i kreu në gjuhën sllave në mungesë të shkollave shqipe. Në 29 qershor të vitit 1950 ai u shugurua meshtar në Kryedioqezën e Tivarit. Fillimet e jetës klerikale ai i nisi në vitet 1950-1960 në Triepsh e Kojë të Kuqit dhe në vitet 1960-1966 në Grudë të Malësisë së Madhe e më tej nga 1966-1999 në Shën Gjegj dhe Klleznë. Ai u nda nga jeta në 2 tetor të 1999 pas 33 vjet shërbimi si klerik dhe u varros në mënyrë modeste në vendlindjen e tij.
Puna dhe shërbimi i Simon Filipajt është vlerësuar nga Selia e shënjtë dhe Papa Gjon Pali i II, me titullin e lartë monsinjor, në 6 korrik të 1992. Ndërsa në 8 qershor të viti 2004, presidenti Alfred Moisiu vlerësoi kontributin e tij dhe e dekoroi me Urdhërin "Naim Frashëri" i Artë pas vdekjes./a.gj/







All the contents on this site are copyrighted ©.