2009-11-11 19:01:11

Imzot Miliore në OKB: të garantohet liria fetare, pa asnjë kufizim.


(11.11.2009 RV)“Manipulimi dhe përdorimi i fesë për qëllime politike, e bëjnë të detyrueshëm dialogun ndëfetar. Duhen hulumtuar bazat teologjike të feve të ndryshme, për të promovuar mirëkuptimin reciprok”. Këtë pohoi dje, gjatë punimeve të Asamblesë së 64-t të përgjithshme të OKB-së, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, imzot Çelestino Miliore.
Një shekull e gjysëm më parë, në fillim të revolucionit industrial, fenë e patën quajtur ‘opium për popujt’. Sot, në rrethanat e globalizimit, vijon të shikohet si ‘vitaminë për të varfërit” . Ndihmesa e veçantë e feve, dialogu e bashkëpunimi – nënvizoi imzot Miliore – çojnë në lehtësimin e shpirtrave, në mbrojtjen e jetës, në ndërgjegjësimin e të ligështve. Kontribuojnë për vënien në jetë të idealeve, për spastrimin e institucioneve, për kundërshtimin e padrejtësive e për t’i dhënë fund konflikteve, përmes rrugës së pajtimit.
Dihet mirë – vërejti Prelati – se gjatë udhës së historisë, personalitete e prijës nuk kanë ngurruar t’i manipulojnë fetë.
E po kështu, lëvizjet ideologjike e nacionalistike panë në ndryshimet fetare, mundësinë për të realizuar planet e veta. Kohët e fundit manipulimi dhe përdorimi jo korrekt i fesë për qëllime politike, nxitën hapjen e debatit në Kombet e Bashkuara. Vijon të bëhet gjithnjë më i detyrueshëm – nënvizoi imzot Miliore – dialogu ndërfetar dhe ndërkonfesional, që ka për qëllim të hulumtojë bazat teologjike e shpirtërore të feve të ndryshme, për të siguruar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e anasjelltë.
Selia e Shenjtë – shtoi Kryeipeshkvi – ka vënë në jetë një sërë nismash për nxitjen e dialogut ndërmjte konfesioneve të krishtera dhe hebrenjve, budistëve e huinduistëve, Ky impenjim synon të favorizojë thellimin e respektit, të mirëkuptimit e të bashkëpunimit ndërmjte besimtarëve të emërtimeve të ndryshme. Inkurajon, gjithashtu, studimin e feve, duke promovuar edhe formimin e njerëzve të impenjuar në dialog.
Për shkak të ngjarjeve shoqërore e politike të kohëve të fundit, Kombet e Bashkuara përsëritën impenjimin ta rifillojnë reflektimin për ndërtimin e një kulture të bazuar mbi mirëkuptimin ndërfetar.
Objektivi i Kombeve të Bashkuara – përfundoi imzot Miliore – është t’i nxisë të gjithë sektorët e shoqërisë t’i njohin, t’i respektojnë e t’i promovojnë të drejtat e çdo njeriu. OKB-ja e ka për detyrë t’i ndihmojë shtetet ta sigurojnë plotësisht, në të gjitha nivelet, zbatimin e së drejtës të lirisë fetare. Një impenjim ky, i ripohuar në dokumentet e Kombeve të Bashkuara, që kujtojnë respektimin e plotë të promovimit jo vetëm të lirisë themelore të ndërgjegjes, por edhe të praktikës fetare, pa kurrfarë kufizimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.