Abati Bernoni dhe historia e Urdhërit të Klynit, në qendër të audiencës së sotme papnore.
(11.11.2009 RV)Ka kaluar më se një shekull që kur banorët e veriut, vikingët,
nisin të sulen valë– valë mbi trojet e frankëve, ku mbjellin dhunë e mort. Bernoni
s’kërkon gjë tjetër, veç paqen: e di se pa paqe nuk mund të jetohet. Prandaj bëhet
murg. Për ta përhapur paqen kudo. Në fillim shkon të jetojë në Otò (Autun), një
qytet mrekullisht i bukur galo-romak. Por, me që qyteti po shpopullohej e klima ishte
tepër e acartë, vendosi të transferohej në Zhinjì (Gigny) të Zhurà (Giura), ndërmjet
pyjeve pa fund. Por edhe këtu bën tepër ftohtë e qielli është gjithnjë ngjyrë hiri.
.. Atëherë lëviz rishtas e vendoset në zonën e Du (Doubs), të Boom (Bome). Së bashku
me shokët e tij, njerëz jashtëzakonisht të ditur, që u bënë më pas të njohur në mbarë
botën, nis të ndjekë rregullën e Shën Benediktit të Norçës, themeluesit të monakizmit
të krishterë. E, si murgjërit benediktinë, i kalon ditët duke u lutur, duke punuar
e duke shkruar tekste të vjetra. Shpëton kështu, së bashku me murgjërit e tjerë benediktinë,
kulturën e lashtë në kuptimin më gjërë të kësaj fjale: nga kultura indiane e vedave
– tek ajo egjiptiane, izraelite, greke e latine. Në vitin 910, kur Bernoni
e Gulielmi, Duka i Akuitanisë, i njohur me epitetin ‘i Përshpirtshmi’ takohen, e kuptojnë
menjëherë se kanë shumë për t’i dhënë njëri-tjetrit. Gulielmi e ndjen veten mëkatar
në kërkim të Zotit. Lutet e kryen vepra të përshpirtshme, që të meritojë faljen. Jo
gjithnjë i ka respektuar parimet themelore të fesë së krishterë: atë të dashurisë
për të afërmin e sidomos, për të varfërit. Tani përpiqet me gjithë shpirt të bëjë
kthesë. Ka një vilë të lashtë romake jo larg Mako (Mâcon), në Klyniakum (Cluniacum),
mbi brigjet e lumit Grron (Grosse), në një zonë tepër të njohur nga gjahtarët. Kjo
pronë është vërtetë interesante, sepse nuk varet nga mbretëria e frankëve, që ndodhet
në veri, por as nga ajo e gjermanëve, që ndodhet në lindje. Gulielmi ia fal Bernonit
e, që të mos bjerë në duart e ipeshkvijve, të cilët mund të jenë edhe të padenjë,
të dy vendosin ta venë nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të papës. Me dymbëdhejtë
shokë, të ardhur nga Boom (Baume), Bernoni nis ta pastrojë luginën. Nxjer blloqe gurësh
nga malet gëlqerore për rreth e nis të ndërtojë kishën e manastirin. Një natë
shfryn një stuhi aq e tmerrshme, sa ka rrezik të marrë me vete gjithçka është ndërtuar.
Bernoni i zgjon murgjërit e të gjithë gjunjëzohen në lutje. Shtrin krahët drejt qiellit
e, papritmas, stuhia qetësohet. Por të nesërmen, më 13 janar të vitit 927, gjindet
i vdekur në qelinë e vet. Për dy shekuj fama e shenjtërisë e Klynit përhapet
kudo në botë. Nga Klyni varen njëmijë e dyqind kuvende e manastire me dhjetëmijë murgjër,
të përhapur në gjithë botën perëndimore. Kisha e Klynit, me shtatëmbëdhjetë këmbanare
(nga të cilat ka mbetur vetëm një) do të ishte më e madhja e të gjithë krishterimit.
Do t’ia kalonte vetëm bazilika e Shën Pjetrit, disa shekuj më vonë.