2009-11-09 17:22:14

“Kisha të jetë shenjë e ndritshme shprese për njerëzimin e Mijëvjeçarit të tretë”: Benedikti XVI, në Bresha, kujton fjalët e Palit VI për Kishën “e varfër e të lirë” e për marrëdhëniet e saj me botën.


(09.11.2009 RV)Dje dioqeza e Breshas ishte në festë. Kishte në gjirin e vet Papën, që e vizitonte për herë të parë, tridhjetë vjet pas vdekjes së Palit VI e në shenjë nderimi për Anxhelo Tadinin. Që në orët e para të mëngjesit, pa pyetur fare për shiun, mijëra besimtarë kishin mbushur plot anët e rrugëve, ku do të kalonte Papa, që arriti në orën 9. 30 në Botiçini Sera, ku u përshëndet nga autoritetet vendase. “Duam Papën!”, brohorisnin fëmijët, ndërsa Ati i Shenjtë hynte në shenjtërore për t’u lutur para relikeve të Tadinit, figurë që - i tha Benedikti XVI bashkësisë, duke folur lirisht - na fton të gjithëve ta duam Hyjin e të punojmë për një botë vëllazërore, në të cilën njeriu nuk jeton vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Më pas Papa u nis për në Bresha ku, gjatë Meshës, kujtoi Palin VI dhe dashurinë e tij për një Kishë të fortë, me rrënjë në Jezu Krishtin e, prej këndej, shumë pranë njeriut, model për dialogun me botën bashkëkohore.

 
“Ndërmjetëso, që Kisha të jetë shenjë e ndritshme shprese për njerëzimin!”- iu lut Benedikti XVI Zojës së Bekuar, duke kujtuar Palin VI. E ndiqnin 12 mijë besimtarë, mbledhur në Sheshin, kushtuar Papës breshan. Edhe më të shumtë ata, që kishin mbushur dy anët e rrugëve të qendrës së qytetit si dhe Sheshin Loxhia, ku Benedikti XVI u ndalua për t’u lutur, ashtu siç kishte bërë edhe Gjon Pali II, para shtyllëzave, që të kujtojnë masakrën e vitit 1974. Më pas, Ati i Shenjtë arriti në Katedrale, i shoqëruar nga duartrokitje të stuhishme e nga tingujt e himnit ‘Tu es Petrus” – ‘Ti je Pjetri!”, dhe nisi ritin, në bashkëkremtim me klerin breshan.

Kisha - shpjegoi Papa gjatë homelisë – është një organizëm shpirtëror konkret, që e shtrin në kohë e në hapësirë mblatën e birit të Hyjit:
"Kisha, e cila lind pambarimisht nga Eukaristia, është vijim i kësaj dhurate… Është Korpi i Krishtit, që dhurohet plotësisht, Korp i thyer e i ndarë ndërmjet nesh, në bashkim të përhershëm me vullnetin e Kreut të vet”.
E kjo është Kisha, që deshi Shërbëtori i Hyjit, Pali VI i cili, në prag të vdekjes, i drejtoi ftesën t’i kuptojë nevojat e vërteta e të thella të njerëzimit e të vijojë ecjen, e varfër, domethënë e lirë, e fortë e plot dashuri për Krishtin:
“Kështu duhet të jetë bashkësia kishtare, që të mund t’i flasë njerëzimit bashkëkohor. Gjovani Batista Montini, që në vitet e meshtarisë, deri në ato të papnisë, i pati shumë për zemër takimin e dialogun e Kishës me njerëzimin e kohës sonë. Ia kushtoi, prandaj, të gjitha energjitë, shërbimit të një Kishe sa më të ngjashme me Zotin e vet, Jezu Krishtin, kështu që, duke takuar Kishën, njeriu bashkëkohor të mund të takojë Atë, sepse pikërisht për Të ka nevojë absolute”.
Kjo - shpjegoi Papa – është edhe kërkesa kryesore e Koncilit II të Vatikanit.
Duke pasur parasysh Vitin Meshtarak, Benedikti XVI u kujtoi, posaçërisht seminaristëve e meshtarëve të pranishëm, mësimin e Palit VI mbi çelibatin, parë si dashuri virgjërore e Krishtit për Kishën, e më pas i nxiti t’ia besojnë ardhmërinë e Kishës vetëm Jezu Krishtit, siç bënte Pali VI në vitet e vështira ’60.

Figura e ndritur e Papës Montini ishte në qendër të vëmendjes së Benediktit XVI edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Ati i Shenjtë theksoi posaçërisht devocionin e Palit VI për Virgjërën Mari, së cilës ia pati kushtuar meshtarinë e tij e të cilën e shpalli Nënë të Kishës. Pikërisht kësaj Nëne, Papa ia besoi popullin lombard, para se të ndahej prej tij, duke i dhënë bekimin apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.