Laborator për virusin e gripit të derrave në Shqipëri
(09.11.2009 RV)Në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë fillon nga puna një
laborator i ri, i cili do të mund të analizojë edhe virusin përgjegjës për gripin
e derrave, apo për gripin AH1N1. Deri tani, kampionet çoheshin për t’u analizuar në
një laborator në Rumani dhe përgjigjia vinte pas pesë ditësh. Tani, ajo mund të jetë
gati pas pesë orësh. Ndërtimi i laboratorit u bë i mundur falë mbështetjes së Bankës
Botërore. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri i të infektuarve në Shqipëri
arrin në 44 vetë, por të gjitha rastet janë shëruar. Laboratori i ri Virologjik
në Institutin e Shëndetit Publik, i cili u përurua sot, do të bëjë të mundur ekzaminimin
në kohë të virusit pandemik A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit. Ministri
i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në përurimin e këtij laboratori, vlerësoi
se ky laborator, i një standardi bashkëkohor, mund të konsiderohet një nga më të mirët
në Europën Juglindore. Sipas tij, "përveç ciklit të viruseve të rëndësishëm që do
të ekzaminohen në të, ne mbyllim ciklin e ekzaminimit të Shqipëri të virusit pandemik,
i njohur si gripi i derrit". "Shqipëria radhitet në avangardën e teknologjisë
europiane e botërore, në drejtim të viruseve përkatëse, të cilët do të ekzaminohen
në kohë reale brenda 24 orëve", theksoi Vasili. Ky laborator, sipas ministrit të Shëndetësisë,
"është një investim i rëndësishëm, me një kredi të Bankës Botërore, ku ka pasur dhe
aktorë të tjerë që kanë dhënë mbështetjen e tyre, si Organizata Botërore e Shëndetësisë,
Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve në Atlanta (SHBA)". Kostoja e përgjithshme
e financimit për laboratorin e ri, rreth 750 mijë dollarë, përfshin punimet civile,
blerjen e teknologjisë diagnostikuese, si dhe kualifikimin e stafit. Teknologjia
e re (Real Time PCV) në këtë laborator mundëson përshpejtimin e kryerjes së diagnozës
në më pak se një ditë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor në menaxhimin e situatës
klinike dhe epidemiologjike të gripit të ri pandemik. Në kushte normale, ky laborator
do të përpunojë 21 mostra në ditë, ndërsa në kushte emergjence, kapaciteti dignostikues
mund të arrijë nga 50 deri në 100 mostra klinike (raste) në 24 orë. Në këtë
laborator do të vijojnë të kryhen në standarde më të larta të gjitha analizat e kryera
më parë për viruse të rëndësishme për shëndetin publik, sikurse poliomeliti, fruthi,
rubeola, etj. Ndërkohë që shumë shpejt do të bëhet e mundur dhe kryerja e analizave
të tjera për sëmundje të rrezikshme virale.