2009-11-09 17:21:54

Hapet një rrugë e re për ekumenizmin: u botua Kushtetuta Apostolike “Anglicanorum Coetibus”, për anglikanët që hyjnë në bashkim të plotë me Kishën katolike.


(09.11.2009 RV)Dokumenti hap një rrugë të re për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, duke njohur, njëkohësisht, ndryshimet e ligjshme në mënyrën e shprehjes së fesë sonë të përbashkët”: ky është, thënë me dy fjalë, kuptimi i Kushtetutës Apostolike “Anglicanorum Coetibus”. Kushtetuta, që u botua sot, është nënshkruar nga Papa më 4 nëntor, në festën përkujtimore të Shën Karl Borromeut. U përgjigjet kërkesave të shumta të anglikanëve, nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar plotësisht me Kishën katolike. Dokumenti ka 31 nene e shoqërohet nga një sërë normash plotësuese, hartuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë.
Mbi domethënien e Kushtetutës Apostolike “Anglicanorum Coetibus”, të ndjekim Atë Xhanfranko Girlandën, jezuit, rektor i Universitetit Papnor Gregorian e këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë:

Përgjigje: - Domethënia kryesore është gatishmëria e Atit të Shenjtë, i cili i përgjigjet një kërkese, bërë disa herë nga grupe anglikanësh, që dëshirojnë të bashkohen plotësisht me Kishën katolike. E do të thosha se ka rëndësi të sqarohet se kërkesa erdhi nga ana e tyre. Prej këndej, Papa parapërgatiti një mjet juridik për t’i pranuar, si Dioqeza Personale, në mënyrë që të ruajnë traditën e tyre shpirtërore, liturgjike e baritore, por duke bërë pjesë në Kishën katolike, domethënë, jo duke formuar një ‘kishëz’, brenda Kishës katolike.

Pyetje: - Pse u zgjodh rruga e Dioqezave Personale?

Përgjigje: - Sepse është një rrugë elastike. Nuk është krejtësisht e re, nga që kemi prej kohe Ipeshkvitë ushtarake, me të cilat përkojnë e ndryshojnë njëkohësisht, sepse Dioqezat Personale nuk bashkëpunojnë me ipeshkvijtë e tjerë vendas por, si laikët, ashtu edhe institutet rregulltare e klerikët, formojnë popullin e Zotit të një qarku kishtar. Ky qark përkon me një Kishë të veçantë, por nën juridiksionin personal të ipeshkvit, që e drejton Dioqezën në emër të Papës, jo në emër të vet.

Pyetje: - Pra, nuk kemi të bëjmë me një rit të ri?

Përgjigje: - Jo. Më mirë mund të themi se ka një farë përkimi me ritin ambrozian, që e kemi brenda Kishës latine.

Pyetje: - E përsa i pëket çelibatit?

Përgjigje:- Përsa i përket rregullit të çelibatit, nuk është i ri fakti se meshtarët e martuar anglikanë dëshirojnë të shugurohen në Kishën katolike në radhët e meshtarisë, duke vijuar të jenë të martuar. Një dispozitë e tillë ekziston që në kohën e Gjon Palit II, por si përjashtim, ndërsa rregulli i përgjithshëm mbetet gjithnjë çelibati kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.