2009-11-09 17:21:25

Benedikti XVI për emigrantët: janë pasuri e çelës i zhvillimit për kombet që i mirëpresin.


(09.11.2009 RV)“Emigrantët nuk duhen parë si problem, por si pasuri, si rast i përshtatshëm për zhvillimin; e të krishterët duhet të jenë në vijën e parë të frontit, për t’i dëshmuar në jetë, vlerat e mikpritjes e të solidaritetit”. Ky është thelbi i fjalimit, që u drejtoi sot paradite Benedikti XVI pjesëmarrësve në Kongresin VI Botëror për baritorinë e Emigrantëve e të Refugjatëve, duke i pritur në audiencë në Vatikan. Kongresi u hap sot paradite me një Meshë, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, kryesuar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone.
I mbledhur nën kujdesin e dikasterit përkatës vatikanas, Kongresi me temë “Një përgjigje baritore fenomenit të emigracionit në epokën e globalizimit”, do të vijojë deri të premten e ardhshme.

Duke nënvizuar përsëri mikpritjen e solidaritetin ndaj emigrantëve e refugjatëve, Benedikti XVI na kujton se thirrjet e tij shpesh herë janë nxitje për shtetet e për qeveritë, të cilat kanë prirje të ngrenë mure ligjore, që të kufizojnë e të çkurajojnë flukset e emigrantëve E pse – pyeti Papa në audiencën e sotme – të mos e konsiderojmë fenomenin aktual botëror të emigracionit si kusht të favorshëm për mirëkuptimin ndërmjet popujve, për sigurimin e paqes e të zhvillimit, që i intereson secilit komb? Kësaj pyetjeje do t’i pëgjigjen edhe pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga Këshilli Papnor për baritorinë e emigrantëve – pesë vjet pas botimit të Udhëzuesit Erga migrantes caritas Christi – i cili këto ditë do të jetë bazë verifikimi e propozimesh baritore:
“Emigracioni –shpjegoi Papa - na fton të vemë në dukje unitetin e familjes njerëzore, vlerën e pranimit, të mikpritjes e të dashurisë për të afërmin. Pa harruar që kjo vlerë duhet shprehur me gjestet e përditshme të kujdesit për të tjerët, posaçërisht për më nevojtarët... Ja pra pse Kisha i fton besimtarët t’ua hapin zemrën emigrantëve e familjeve të tyre, duke e ditur se ata nuk janë problem, por pasuri, që duhet vlerësuar, në shërbim të ecjes përpara të njerëzimit e të zhvillimit të tij të vërtetë”.
Këtë theksoi Papa e në vijim kujtoi se skena aktuale është plot me histori dramatike grash e burrash, të rinjsh e fëmijësh, që ëndërrojnë të shpëtojnë nga mjerimi, duke marrë rrugët e botës, sot të trazuar thellësisht nga kriza ekonomike:
“Kriza ekonomike botërore, me rritjen e jashtëzakonshme të papunësisë, e kufizon shumë mundësinë e punësimit dhe e shton numrin e atyre, që nuk arrijnë të gjejnë as punë të përkohshme. Shumë njerëz detyrohen, atëhere, t’i braktisin trojet e tyre e bashkësitë e tyre; detyrohen të pranojnë punë që nuk përkojnë me dinjitetin njerëzor, duke u integruar me vështirësi në shoqëritë ku jetojnë, për shkak të ndryshimit të gjuhës, të kulturës e të rregullave shoqërore”.
Mbetet i ndërlikuar, për Papën, fenomeni i emigracionit, pa harruar shpresën që buron nga solidariteti, i cili nuk duhet tradhtuar, siç ndodh shpesh për ata, që e kërkojnë:
“Sot shumë emigrantë e braktisin vendin e tyre, për të shpëtuar nga kushtet e papranueshme në të cilat jetojnë, por pa e gjetur gjetiu mikpritjen që shpresonin. Përballë situatash kaq të ndërlikuara, si të mos ndalemi e të reflektojmë mbi pasojat e një shoqërie, që bazohet vetëm mbi zhvillimin material?”.
Kështu u shpreh Papa, duke i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje përmes citimit të Enciklikës së tij ‘Caritas in veritate’, në të cilën thekson se i vërtetë mund të quhet vetëm zhvillimi i përgjithshëm e se nuk mund të ketë zhvillim të tillë, në se nuk favorizohet takimi ndërmjet popujve, dialogu ndërmjet kulturave e respektimi legjitim i ndryshimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.