2009-11-09 16:01:32

9 nëntor 1989: një hap i madh paqeje. 20 vjet nga rënia e Murit të Berlinit


(09.11.2009 RV)Me ceremoninë fetare ekumenike, të kremtuar në praninë e presidentit federal Horst Kohler dhe të kancelares Angela Merkel, filloi sot paradite në Berlin, në kishën e Gjetsemanit në lagjen Prenclojer Berg – qendër grumbullimi për rezistencën kundër komunizmit në Gjermaninë Lindore – përkujtimi i 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Më pas, Angela Merkel shkoi në Kapelën e Pajtimit e pasdite, kapërceu ish-kufirin ndërmjet dy Gjermanive, pikërisht në pikën ku berlinezët lindorë mundën të kalonin për në perëndim, mbrëmjen e 9 nëntorit 1989. Në të gjitha aktivitetet morën pjesë dy personazhe kyç të atyre viteve: ish-presidenti sovjetik, Mikhail Gorbaçov dhe ish-kreu i sindikatave e ish-presidenti polak, Lek Valesa.
Impresionuese “Festa e Lirisë” ku ishin të ftuar të gjithë krerët evropiane e shumë politikanë. Kulmi u arrit me shembjen e murit prej një mijë gurësh dominoje, 2,5 m të lartë, bërë nga studentë e artistë gjermanë nga e gjithë bota. Para portës së Brandeburgut u përjetua sërish atmosfera e 20 vjetëve më parë. Gjatë ceremonive u përkujtuan edhe 136 personat, që u vranë, në përpjekjen për të kapërcyer murin nga viti 1961 deri më 1989.
Mbi këtë ngjarje historike, të dëgjojmë komentin e drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, zëdhënës i Selisë së Shenjtë:....RealAudioMP3
“Kanë kaluar 20 vjet nga dita e paharrueshme e rënies së murit. Çfarë feste popullore në Berlin! Sa habi e sa gëzim në të gjithë Evropën e në të gjithë botën, që shihte e rishihte ato imazhe të pabesueshme! Për rreth 30 vjet, ata që ishin përpjekur ta kapërcenin duke ikur drejt lirisë kishin rrezikuar jetën, dhjetra e dhjetra vetë kishin vdekur para syve të tmerruar të dëshmitarëve të rastit. Besonim se burgu i madh i mbrojtur nga ai mur – e më gjerë nga “muri i hekurt” simbolik, që ndante Evropën më dysh – do të rezistonte akoma edhe për shumë vjet.
Por, aspiratat e lirisë dhe dobësitë e brendshme të regjimeve, të bazuara mbi një ideologji armike me Zotin e me njeriun, kishin punuar thellë në popujt e Lindjes, duke përgatitur një shembje epokale, e pashoqëruar – fakt ky fatlumë e i rrallë – nga derdhje të mëdha gjaku.
Pa dashur të thjeshtojmë një proces historik jashtëzakonisht të ndërlikuar, na vjen spontanisht kujtimi i rolit të Papës Gjon Pali II, i udhëtimeve të tij në Poloni, e cila kishte mbetur gjerësisht e besnikërisht katolike, dhe i pasojave të tyre në aspiratat e kërkesat për liri të atij populli e të popujve fqinjë. Kur Papa i moshuar kalonte më në fund nën Portën e Brandeburgut, jo vetëm Gjermania ishte bashkuar, por Evropa merrte frymë me dy mushkëri, Lindje e Perëndim. Feja e krishterë kishte treguar se kish kontribuar edhe një herë në bashkimin e në qytetërimin e kontinentit, duke kapërcyer provën e tmerrshme të ateizmit shtetëror. Është mirë të kujtohet kjo gjë, sa herë ndokush ngul këmbë për kufizimin e kësaj feje në fushën e ngushtë private.
Por fatkeqësisht, në botë u ndërtuan e po ndërtohen mure të tjera. Do të vazhdojmë të impenjohemi, duke pritur që të festojmë më në fund, edhe padobinë e shembjen e tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.