2009-11-08 16:25:37

8 nëntor 1462 datë e shkrimit të 'Formulës së Pagëzimit' nga imzot Pal Engjëlli


(08.11.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, më 8 nëntor përkujtojmë datën e shkrimit të dokumentit kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në latinisht, në të cilin dokument baritor gjendet “FORMULA E PAGEZIMIT”në gjuhën shqipe, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet e që mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462.
Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915.
Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër bashkësitë Kishtare dhe në vise të kryedioqezës së Durrësit.
Në mbarim të kësaj vizite baritore imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e të besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike dhe rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë shqiptare dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) e posaçërisht prindërve të krishterë t’i pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Pagëzimit…“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.
Së fundi në këtë dokument ipeshkvi imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.







All the contents on this site are copyrighted ©.