Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit Kishtar ‘B’
(07.11.2009 RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë
së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 32-të gjatë
vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik kishtar. Lum të varfërit
në shpirt: e tyre është mbretëria e qiejve.. Nëse dashuria është urdhri i parë,
thjeshtësia e zemrës e transparenca e jetës janë kushtet themelore për të vërtetuar
autenticitetin. Këtë të diele Jezusi na ndihmon duke tërhequr vëmendjen tonë jo aq
mbi atë që bëhet bërë, as mbi sa duhet bërë, por mbi atë se “SI” duhet bërë apo vepruar,
pra mbi cilësinë e dhuratës e të bujarisë sonë. Sa e duam Zotin? Aq sa e duam
të varfrin, atë që ka nevojë për ne, të huajin, emigrantin, të mënjanuarin dhe e ndihmojmë
falas, me respekt e dashuri. Sa e duam të afërmin? Aq sa e duam Zotin dhe kemi
besim në Të. Shembull i kësaj janë dy gratë vejusha për të cilat na flet Liturgjia
e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, duke na paraqitur shembullin e tyre. Dy e vejushat
e varfra, janë të afta të dhurojnë veten e gjithçka kanë: mikpritja e vejushës së
parë shpërblehet, kompensohet nga mrekullia e Elisë profetë ( për çka flet leximi
i parë nga Libri i parë i Mbretërve 17,10-16) dhe bujaria e përvujtë e vejushës së
dytë që meriton lëvdatën e jashtëzakonshme nga Jezusi ( për çka flet pjesa ungjillore
kësaj së diele marrë nga Marku 12,38-44).
Këto dy gra të veja në aftësinë e
tyre të dhurimit, të bujarisë, të zemërgjerësisë së tyre janë figura shprehin
shembullin e Krishtit, i cili ka ofruar e dhuruar vetveten një herë e përgjithmonë
për shëlbimin e njerëzimit, pra për çlirimin e njerëzimit nga egoizmi, robëria e mëkatit
dhe e vdekjes e përjetshme.
Sjelljet, pra shembulli i dy vejushave që na propozon
Liturgjia e Fjalës, bëhen mësim themelor për të jetuar fenë e krishterë, e këndej
janë objekt i lutjes së Meshës së kësaj të diele. Në të vërtetë në lutjen e dytë
të Meshës ne, si besimtarë, i kërkojnë Zotit ndihmë në mënyrë që “…të gjithë të mësojmë
të falim, të mësojmë të dhurojmë sipas shembullin të Atij që ka dhuruar vetveten…”.
E
veja e parë na përshkruhet në leximin e parë të kësaj së diele, në Librin e parë të
Mbretërve: Elia nuk heziton as nuk ka frikë ti kërkojë gjithçka i mbetët kësaj vejushe
për mbijetesë e ajo i beson profetit dhe i dhuron gjithçka kishte. Në këtë gjest ajo
bëhet simbol i atyre që janë të aftë ti besojnë Zotit e të mbështeten në Fjalën e
Tij Hyjnore, përkundra të gjitha vështirësive të jetës.
Kështu, leximi i dytë
nga Letra e Hebrenjve ( Heb 9.24-28): na paraqet Krishtin si ndërmjetësuesin e vetëm
ndërmjet njerëzve dhe Zotit sepse Ai i ka ofruar e dhuruar vetveten Atit Qiellor,
njëherë e përgjithmonë për shpëtimin e çdo njeriu. Në këtë dhurim të vetëm e përfundimtar
Jezusi bartë me vete mbarë njerëzimin, i cili tani mund të shpresojë në përqafimin
e Atit Qiellor.
Edhe e veja, për të cilën flet pjesa e Ungjillit të kësaj së
diele nga Marku 12.38-44, lëvdohet nga Jezusi jo për ofertën e saj të vogël e të pakët
që fali në tempull, por sepse ka dhënë “gjithë atë që kishte për të jetuar”: kjo fjali
përmbledhë dhe pasqyron gatishmërinë e plotë të kësaj gruaje të varfër, e cila në
pikërisht atë dhuratë të vogël, ajo që fali e dhuroi tërë vetveten për varfrit . Për
këtë arsye ajo bëhet shenjë e dashurisë së Zotit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
e kësaj së diele na flet për një realitet që duket se është harruar nga shoqëria jonë
bashkëkohore e pasur, e ngopur dhe çorientuar. Përmes Fjalës së Tij, Zoti na orienton
drejt vlerave të vërteta njerëzore e shpirtërore siç është besimin në Provaninë Hyjnore
e solidariteti, fryt i fesë së vërtetë e të gjallë në Hyjin dhe dëshmi e bujarisë
ndaj tëvarfërve.
Një grua e vejë e Sareptës e dhuron bukën
e mbramë që kishte. Një tjerë grua e vejë e Jerusalemit e dhuron paranë e fundit.
Dy gra, të varfra, pa identitet, pa emër, të lënduara në dashuri, e dorëzojnë jetën
e tyre. Në Sareptë përgjigja është një mrekulli, buka e pashtershme, buka që nuk ka
të mbaruar. Në Jerusalem nuk ka kurrfarë mrekullie. Mirëpo mrekullia tashmë ka ndodhur,
dhurimi i copës (pjesës) së mbramë të jetës: sepse të japësh do të thotë jetosh, të
mbash për vete do të thotë të vdesësh.
Gjesti që dy gratë bëjnë është diçka
e palogjikshme, nuk është punë e mençur. Nuk është mençuri të hedhësh paratë e vogla
që ke në thesarin e tempullit, por është shkandull e shkëndijë shprese. Kësaj gruaje
nuk ia dimë as emrin, nuk ia njohim as fytyrën, as sytë e saj, por ia njohim zemrën
e saj, me rrahjet e veta të çuditshme, ato të vetmisë, të varfërisë, por edhe të shpresës.
Shpresa e dëshpërimit të atij që e provokon Zotin e gati gati e detyron: unë kam menduar
në Ty, të kam konsideruar e trajtuar si thesarin e gjënë më të rëndësishme të jetës
sime. Tani të takon Ty të mendosh për mua.
Jezusi, ulur, vështron se si njerëzit
hidhnin monedha në thesarin e tempullit. Vështron jo sa jepnin, por si i dhuronin
ofertat. Jezusi nuk shikon sasinë por me sa zemër e bëjnë gjestin e bujarisë e të
dashurisë, me sa vërtetësi e zemër të pastër dhurojmë e ndihmojmë të tjerët. Zotit
nuk i jepet as shumë, as pak, as asgjë, por gjithçka..
Liturgjia e Fjalës së Zoti
Leximi i parë 1 Mbr 17, 10-16
Çfarë
duhet të admirojmë më shumë në këtë pjesë: besimin e profetit Elia apo bujarinë e
vejushës së shkretë që heq dorë nga ushqimi i pakët i mbetur për t’ia dhënë profetit?
Elia, njeri i Hyjit, pranon varfërinë e tij të thellë dhe i kërkon ndihmë një paganeje
për të vazhduar të jetojë. Ndërsa vejusha është e gatshme të japë të gjithë ushqimin
duke mos menduar për atë që do të ndodhë nesër. Kush ka dhënë gjithçka nuk habitet
kur merr gjithçka.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në
ato ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një
grua të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë
që të pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem,
më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin
tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp.
Ja, po i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin
tim, do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj
siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill,
dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit:
‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita
që Zoti të falë shi mbi tokë’.” Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo,
Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit
nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë. Fjala e Zotit.
Psalmi
146
Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre është Mbretëria qiellore ---------- Zoti
e mban besnikërinë për amshim, u jep të drejtën të nëpërkëmburve, u jep ushqim
të uriturve. Zoti i çliron robërit. ---------- Zoti u jep dritën e syve të
verbërve, Zoti i ndreq të kërrusurit, Zoti i do të drejtët, Zoti i mbron
ardhacakët. ---------- U ndihmon bonjakëve e të vejave, ndërsa mëkatarëve
ua pështjellon udhët. Zoti do të mbretërojë për jetë, Hyji yt, o Sion, nga breznia
në brezni. ----------
Leximi i dytë Heb 9, 24-28
Kryepriftërinjtë
hynin në shenjtëroren e tempullit një herë në vit. Kur Jezusi, nëpërmjet kryqit hyn
në shenjtëroren e qiejve, veprimi i tij nuk mund të përsëritet: ndodh një herë e përgjithmonë.
Për historinë universale, vdekja e Krishtit është përmbysja më e madhe pas së
cilës njerëzimi nuk mund të kthehet prapa, dhe lufta e njerëzve bëhet një ringjallje
ashtu si ajo e Jezusit.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Krishti
nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë
e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne
para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti
çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte
dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një
herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit
të vetvetës. Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen
gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve,
kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për
të qenë shëlbuar. Fjala e Zotit.
Ungjilli Mk 12, 38-44
Edhe
sot në mes nesh fshihen skribët që kërkojnë vendin e parë dhe të jenë të nderuar.
Sa herë edhe të krishterët kanë ngrënë lekët e të varfërve me pretekstin për të ndërtuar
një shtëpi lutjeje. Figura e vejushës që hedh ofertën e saj të mjerë në thesarin
e tempullit, do të tregojë urdhërimin e dashurisë së Hyjit. Hyji sheh zemrën.
Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni
prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin
tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata
i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen
veçanërisht rreptë!” Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para
në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti
dy lepta, domethënë një të katërt të asit. Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet
dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë
të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej
skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.” Fjala
e Zotit.
Liturgjia e sotme na fton të reflektojmë mbi domethënien e dhuratës:
në qendër të leximeve është figura e vejushës, që është simboli i atij që është i
dobët dhe pa mbështetje. Një grua vejushë ishte viktimë e kryelartësisë së më të
fortit dhe keqbërësit. Është pikërisht kjo figurë që bëhet simboli i atij që di të
dhurojë me të vërtetë, sepse nuk dhuron atë që ka, por atë që është në vetvete. Një
grua shumë e varfër, në ungjill, hedh në kutinë e ofertave dy qindarka, të gjitha
ato që ka. Megjithëse ishin krejt të pavlera, për gruan ishin gjithçka për atë ditë.
I ofron Hyjit jo vetëm para, por vetë jetën e saj. Nuk jep tepricat, por atë që ishte
e domosdoshme për të. I varfër nuk është ai që nuk ka asgjë, por ai që në dobësinë
e tij bashkëndan me të tjerët atë që është dhe atë që ka. I pasur nuk është ai
që zotëron të mira materiale, por ai që beson në këto të mira dhe ndihet i vetëmjaftueshëm;
Vejusha ka guximin të dhurojë gjithçka, sepse e di se në Kë beson. Besimi i saj ka
një forcë absolute: duke iu dorëzuar Zotit është e sigurtë për mëshirën e tij. Ajo
dhuron një zemër të pastër. Ajo ofertë materialisht e pavlerë është shpirtërisht
themelore. Dhe me dinjitet përballon shikimet e njerëzve që e gjykojnë. Gjitha-shtu
vejusha nuk u tregon të gjithëve të mirën që bën, sepse për të nuk është e rëndësishme
aprovimi i njerëzve, por dashuria që ndjen brenda vetes. Lutu
me Ungjillin
O Zot, bëj që të kuptojmë që bamirësia kërkon
sakrificë dhe jo hipokrizi.
Çliroje zemrën tonë nga çdo interes në
kryerjen e së mirës dhe na mëso të dhurojmë vetveten me dashuri bujare dhe
të lirë dhe tu ofrojmë shërbimin tonë vëllezërve për lavdinë tënde.
Bëj
që dëshmia jonë të mos jetë vetëm një shfaqje e jashtme, por një shenjë e
vërtetë dhe konkrete e dashurisë sonë drejt të afërmit.