2009-11-06 20:05:36

Shqipëria e Mali i Zi intensifikojnë bashkëpunimin dypalësh


(06.11.2009 RV)Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta i konsideroi sot, të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Menjëherë pas nënshkrimit të 3 marrëveshjeve dypalëshe, në Podgoricë, z. Meta dhe homologu i tij malazez, Milan Rocen dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku vlerësuan nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh optimist para gazetarëve për marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si "model për dy vendet fqinje që duan të ecin në rrugën e integrimit".
Duke i konsideruar marrëveshjet e nënshkruara sot si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Meta u shpreh për përfaqësuesit e mediave shqiptare dhe malazeze se "në të ardhmen do të hartohen edhe shumë projekte të përbashkëta në fushën e mjedisit, energjetikës etj".
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyera, u shpreh z, Meta duke shtuar se "këto vende kanë një vizion dhe një objektiv të përbashkët për të ardhmen, anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe zgjerimin e NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi".
"Me anëtarësimin e Malit të Zi në këtë organizatë bregdeti i Adriatikut do të jetë i integruar në NATO", cilësoi z. Meta, duke shtuar se kjo siguri në rajon, do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik.
Sipas tij "jemi në një epokë të re ku konkurojnë rajonet, të cilët krijojnë një mundësi më të madhe për investimet e huaja".
"Shqipëria dhe Mali i Zi, përmes një bashkëpunimi të ngushtë do të forcojnë paqen dhe sigurinë, duke forcuar edhe situatën ekonomike", tha z. Meta.
Zoti Meta dhe homologu i tij malazez, Milan Rocen, nënshkruan sot, në Podgoricë marrëveshjen "Për rikonstruksionin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe sinjalistikave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez", marrëveshjen mbi "Lëvizjen e ndërsjelltë të qytetarëve" dhe Marrëveshjen e Ripranimit.
Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Milan Rocen siguroi sot, se "edhe pasi Mali i Zi të përfitojë liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian, nuk do të ndryshojë regjimin e vizave për Shqipërinë. Qytetarët shqiptarë dhe malazezë do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve përkatëse".
Ministri Rocen shprehu bindjen se "edhe Shqipëria do të jetë së shpejti në listën e Shengen-it".
Për sa i përket çështjes së kufijve me Kosovë, Ministri Rocen u shpreh se "nuk kemi probleme kufitare me askënd, aq më tepër me Kosovën".
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi sot, takime të veçanta zyrtare me Presidentin ei Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe Kryetarin e Parlamentit, Ranko Krivokapiç, në kuadër të vizitës së tij dy ditore në shtetin fqinj.
Gjatë bisedimeve zyrtare me Presidentin Vujanoviç dhe Kryetarin e Parlamentit, Krivokapiç janë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si dhe është konfirmuar edhe njëherë mbështetja e Shqipërisë për integrimin e Malit të Zi në NATO.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, Zv/ Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, u takua sot në Podgoricë me Kryeministrin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviç.
Gjatë këtij takimi, z. Meta dhe z. Gjukanoviç vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe diskutuan mbi zhvillimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturës dhe energjetikës.
Zv. Kryeministri Meta dhe Kryeministri Gjukanoviç ranë dakort për hartimin e një strategjie të përbashkët për integrimin reciprok të të dy vendeve në strukturat Euro-Atlantike.
Z. Meta, pasi shprehu mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve shton garancinë e paqes dhe stabilitetit në rajon. Zv. Kryeministri Meta dhe Kryeministri Gjukanoviç ranë gjithashtu dakort për ngritjen e Komitetit Ekonomik për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe shprehën vullnetin e të dy palëve për pastrimin dhe mirëmbajtjen e liqenit të Shkodrës.
Prej disa muajsh mes dy vendeve funksionon pika e përbashkët e kalimit kufitar Murriqan-Sukobinë, e ndërtuar me një fond prej 1.1 milionë euro të Komisionit Europian (KE). Kjo është pika e parë kufitare e kësaj natyre në Ballkanin Perëndimor, pjesë e rrjetit prej 12 pikash kufitare që do ndërtohen në Shqipëri dhe vendet fqinje, falë financimit të KE-së prej 5.4 milionë eurosh.
Gjithashtu në muajin qershor u inauguruan fillimi i punimeve për ndërtimin e autostradës Shkodër-Hani i Hotit, në kufi me Malin e Zi, kontribut i rëndësishëm i Qeverisë italiane. Rruga e ndërtuar 80 vjet më parë nga austro-hungarezët, do të rindërtohet me ndihmën e Kooperacionit italian dhe fondeve të qeverisë shqiptare.
Një projekt tjetër i rëndësishëm mes dy vendeve konsiderohet edhe linja e interkonjeksionit të tensionit të lartë 410 kilovolt, që lidh Tiranën me Podgoricën. Duke iu referuar deklaratave të qeverisë shqiptare, së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i një autostrade të re që lidh Velipojën me Ulqinin.
Republika e Malit të Zi, që shtrihet në Ballkanin Perëndimor, ku bashkëjetojnë veç malazezëve, edhe boshnjakë, shqiptarë dhe romë, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, vitet e fundit pas shkëputjes nga Serbia, ka përmirësuar dukshëm imazhin në përmirësimin e të drejtave të njeriut, në veçanti të pakicave në këtë republikë ish-jugosllave.
Arsimimi i pakicave është pjesë e sistemit arsimor të përgjithshëm integral shtetëror të Malit të Zi, i cili respekton specifikat e pakicave nacionale dhe u garanton mundësinë e shkollimit në gjuhën e tyre amtare, krahas ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar dhe kulturor.
Në programet arsimore, të cilat janë hartuar në kuadër të reformës së arsimit, janë përfshirë dhe integruar përmbajtjet që përfaqësojnë gjuhën, krijimtarinë, historinë dhe kulturën e pakicave në Mal të Zi. Në 81 vendet e parlamentit malazez janë 5 deputetë shqiptarë, 2 kroatë dhe të tjerë.
Kur është fjala për të drejtat kombëtare të 7 për qind të shqiptarëve në Mal të Zi, deri në njëfarë mase duket se ata janë të trajtuar mirë dhe të integruar.
Në maj të vitit 2006, gjatë një referendumi, rreth 55.4 për qind votuan pro pavarësisë së Malit të Zi, duke shënuar shpërbërjen përfudimtare të Jugosllavisë dhe njëherazi edhe pavarësinë e Malit të Zi, ku jetojnë veç shqiptarëve dhe malazezëve, edhe boshnjakë dhe romë, etj.

Mali i Zi ishte principatë dhe më pas mbretëri e pavarur para aneksimit nga Serbia më 1918. Për të parën herë në burimet historike, emri Mali i Zi u përmend në shekullin 13-të. Kufijtë e sotëm të Malit të Zi janë konstituuar më 1945 në kuadër të ish-RFS të Jugosllavisë. Mali i Zi, mbas shpërbërjes së ish-Jugosllavise me 1992, mbeti në kuadër të ish-RFS Jugosllave deri në vitin 2003, kur së bashku me Serbinë, krijoi bashkësinë Serbia dhe Mali i Zi, që ekzistoi deri në vitin 2006. Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.