Përkujtojmë 137 vjetorin e lindjes së Imzot Lugj Bumçit
(06.11.2009 RV)Imzot Bumçi lindi më 6 nëntor 1872 në Shkodër. Mësimet e para
i ndoqi në shkollën e jezuitëve, ku shpejt ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë.
Hyri, prandaj, në Seminarin Papnor, ku mësoi në Kolegjin Saverian dhe njëkohësisht
filloi përgatitjen filozofike e teologjike për rrugën e priftit dioqezan, që kishte
zgjedhur. Shpejt u shqua për një mençuri të jashtëzakonshme, që e vuri në krye të
shumë veprimtarive të Seminarit e të Kolegjit Saverian. U bë shumë i njohur edhe për
humorin e tij tejet të hollë, që e bëri të shkëlqejë në vise e rrethana të ndryshme.
Në garën e satirës - shkruan Imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh
katolikë" - mund të hahej vetëm me një Atë Fishtë. E ishte kënaqësi e jashtëzakonshme
të ndiqje një garë të tillë ndërmjet dy njerëzve, që veç shumë cilësive të mëdha,
kishin edhe humor të spikatur”. Mësimet e larta i kreu në Itali, ku edhe u shugurua
meshtar. Mbas shugurimit, shërbeu për pak kohë si famullitar në fshatra të ndryshme
të Veriut. Ndërkaq filloi edhe veprimtarinë atdhetare. Qe atë shpirtëror i kryengritësve
të Malësisë së Madhe, që rrokën armët për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke;
kryesoi delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku mbajti
një fjalim, që pati jehonë të jashtëzakonshme e që meriton të zërë vend në të gjitha
antologjitë e letërsisë shqiptare, si një nga prozat oratorike, me karakter të fuqishëm
atdhetar. Në Konferencë delegacioni shqiptar u ndodh para një problemi jetik
për tërësinë e tokave shqiptare: Korça e Gjirokastra rrezikoheshin të shkëputeshin
nga Shqipëria, sipas marrëveshjes së fshehtë ndërmjet Titonit e Venizelosit, nënshkruar
edhe nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Rusisë. Delegacioni
shqiptar nuk u mjaftua ta mbronte çështjen shqiptare në Konferencë, por duke përfituar
nga fakti se në të bënin pjesë dy klerikë, të cilët tashmë kishin fituar emër kudo
në botën katolike, e pikërisht Imzot Bumçi e sekretari i tij, Atë Gjergj Fishta, u
ndal në Romë, ku kërkoi audiencë te Papa. Papa Benedikti XV i priti menjëherë
dhe u premtoi se do të ndërmjetësonte pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e Shqipërisë.
“Diplomat i spikatun, me natyrën e qetë të shtresave qytetare shkodrane, me stil
plot gjallni jete, me prirje të theksueme për jetën politike, i guximshëm e i stërvitun,
i peshuem e modern, ai punoi me zell për një Shqipni të çlirueme nga feudalizmi e
mbrapambetja. Na kujton së largu figurën e kardinalit francez Richelieu” - kështu
shkruan për të Imzot Zef Simoni, në sa ia pikturon portretin në librin e tij "Portrete
klerikësh katolikë" Si u shugurua ipeshkëv, u emërua prelat i Lezhës. Selinë
e tij, sipas traditës, e pati në Kallmet, ku ndërtoi edhe Kishën që sot i është rikthyer
besimtarëve. Kongresi i Lushnjës e vuri në krye të Këshillit të Lartë të Shqipërisë.
Nga kjo tribunë, u bë i njohur nga të gjithë si njeri me mënçuri të jashtëzakonshme;
që njihte në mënyrë të përkryer gjuhët kryesore evropiane. Me kulturën e tij të gjërë,
e linte me gojë hapur çdo njeri që komunikonte me të. Nuk la vepra të shkruara,
sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush
pyet: ç'vepër të madhe i la Shqipërisë - mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë:
i la Korçën e Gjirokastrën!Vdiq në vitin ogurzi 1945 në selinë e ipeshkvisë së tij,
ndërsa mbi Shqipërinë ndehej terri e terrori. Në përvjetorin e 137-të të
ditëlindjes së tij, po e kujtojmë duke shfletuar, pa koment, fragmente domethënëse
nga shënimet e Luigj Bumçit për Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, gjetur
kohët e fundit në arkivat amerikane nga historiani Lavdosh Ahmetaj: “…lajmet
që kemi marrë deri më sot nga dërgata amerikane na kanë hidhëruar shumë, por nuk na
kanë çuditur, sepse duhet ta dinim se edhe ne nuk kishim për të shpëtuar shëndoshë,
duke parë se Qeveritë e Mëdha u kishin cënuar të drejtat politike e ekonomike edhe
disa shteteve të tjera të vogla. Kështu pra, duke parë gjendjen e përgjithshme
të punëve dhe duke kuptuar mirë se parimet e larta të përballura në kohën e luftës
e mbi të cilat ne kishim mbështetur kërkimet e shpresat tona, nuk po zbatohen, mjerisht
me drejtësi e me paanësi, ne nuk gjejmë rrugë apo mënyrë tjetër për të mbrojtur të
drejtat tona, përveç kësaj që po përmbledhim në këto dy pika: a) Duke
u mbështetur mbi vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, me të cilin u krijua "Shqipëria
shtet më vete", e që është i vetmi dokument zyrtar i shuguruar në një akt ndërkombëtar
e që mund ta përdorim me të drejtë, ne do ta kundërshtojmë gjithnjë e gjithmonë çdo
cënim të "tërësisë së atdheut". Kështu pra, nuk do të pëlqejmë kurrë asnjë nga vendimet
e Konferencës që të cungojë vendin tonë, duke prekur sidomos Gjirokastrën, Korçën,
Vlorën e Shkodrën. Përveç respektimit të tërësisë së Shqipërisë të krijuar në Konferencën
e Londrës ne do të vijojmë gjithnjë të kërkojmë ndreqjen e padrejtësive që na ka bërë
ajo Konferencë e pranimin e kërkesave tona tokësore të themeluara mbi parimin e vetvendosjes
së kombeve e të popujve. b) Duke u mbështetur përsëri në vendimin e
përmendur, që njihte sipërfaqen e shtetit shqiptar, nuk do të pranojmë kurrë me dashjen
tonë një mandat mbi Shqipërinë. Që të mund të gjejmë një rrugë ligjore për të larguar
rrezikun e mandatit, kemi menduar që sa herë që të vijë koha e të shohim se nuk kemi
kurrsesi tjetër shpëtim, të paravendosim një modifikim të dispozitave të vendimit
të Konferencës së Londrës më 1913 mbi statusin e Shqipërisë, në interesin tonë. Kjo
vërtetë nuk na shpëton nga rreziku, por ne do të kërkojmë e do të përdorim të gjitha
mjetet që të pakësojmë sa më shumë të këqijat e dëmet e që të kemi edhe një dokument
zyrtar në dorë mbi të cilin të mund të themelohemi për të kërkuar më vonë nga Lidhja
e Kombeve qortimin e padrejtësive që mund t'i bëhen sot atdheut tonë. NDERKOMBETARIZIMI
I SHKODRES- Ka disa kohë që gjenerali anglez, z. Philips, u ka
thënë disa shkodranëve se atij i dukej mirë, si në pikëpamjen ekonomike, si në ruajtjen
e së drejtave të posaçme të vjetra që Shkodra bashkë me rrethet e veta deri në Breg
të Matës, të futej e të lihej nën sundimin ndërkombëtar. Pikë së pari, nuk
i kishim dhënë tepër rëndësi këtij fakti, sepse besonim që z. Philips sillej kështu
vetëm pse dëshironte të mbetej ai qeveritar i Shkodrës: por më vonë, kur morëm vesh
se udhëtimi i tij i mbrapshtë në Londër kishte po këtë qëllim, nisi të na lindte dyshimi
se ndonjë grackë tjetër po i ngrihej tërësisë së Shqipërisë. Në të vërtetë, lajmet
e fundit po na tregojnë se jo vetëm z. Philips, por edhe gjenerali francez z. Bardi
de Fourtou, po përpiqet për ndërkombëtarizimin e Shkodrës. Thuhet me siguri, se një
lutje për këtë qëllim, e nënshkruar nga disa myslimanë e katolikë shkodranë, ka arritur
në Paris, ku kanë ardhur edhe z. Briot - ingjiner francez, e z. Sadik Tirana, të dy
nëpunës të administratës së Shkodrës, i pari në punët botore e tjetri në Postë - Telegrafe.
Ndër punët e tjera që këta zotërinj do të kryejnë këtu, do të porosisin edhe pullat
e Postës së Shkodrës me këto fjalë të shkruara përsipër: "Postë shqiptare - Shkodër".
Kur i thamë z. Sadik Tirana se nuk ishte mirë që Shkodra të përdorte pulla postare
të veçanta e i treguam kuptimin e keq që në ditët e sotme mund të merrte fjala "Shkodër"
e shkruar mbi to, na u përgjigj se "gjenerali Bardi de Fourtou e kishte kërkuar patjetër
shtimin e asaj fjale". Nuk është as nevoja t'iu përmendim rrezikun e madh
që do t'i vinte qytetit të Shkodrës prej ndërkombëtarizimit të tij, pasi ndarja e
këtij qyteti administrativisht prej Shqipërisë tjetër, është hapi më i parë drejt
pushtimit të tij prej Jugosllavisë. Për fat të keq, shqiptarët, nuk e kuptojnë të
gjithë mirë këtë rrezik. Ne do t'i paraqesim Konferencës një notë kundër ndërkombëtarizimit
të Shkodrës e do të përpiqemi që edhe nga Shqipëria të vijnë protesta të tilla, pasi
ne besojmë se Shkodra është e humbur për Shqipërinë në qoftë se ndërkombëtarizohet. LESHIMI I ADMINISTRATES NE DORE TE QEVERISE SE PERKOHSHME - Që në ditët e para
të këtij muaji, qeveria italiane i ka dhënë urdhër Komandës së Ushtrive në Shqipëri,
që të lëshojë në dorë të Qeverisë së Përkohshme gjithë administratën e vendit. Presim
me padurim lajme të hollësishme mbi këtë lëshim, sepse kështu do të marrim vesh qëllimet
e qeverisë italiane mbi krahinat e Vlorës e Gjirokastrës: po që tani mund t'ju themi
se qeveria jonë nuk do të pranojë asnjë ngushtim të sipërfaqes së shtetit shqiptar
mbi këto dy krahina. LAJMET MBI KRYENGRITJEN E SHQIPERISE - Po mbushen
gati dy muaj që kur zyra e shtypit jugosllav ka filluar të përhapë lajme mbi një të
vetëquajtur kryengritje në Shqipëri. E dinim mirë se këto lajme nuk janë të vërteta,
po z. Rexhep Bej Mitrovica që ka ardhur tani shpejt nga Durrësi, po na e forcon këtë
besim duke na thënë se ato lajme nuk kanë asnjë bazë. Eshtë e vërtetë se qetësia në
Shqipëri le shumë për të dëshiruar, po për kryengritje nuk mund të flitet fare. Jugosllavët
janë munduar që prej shumë kohe të nxjerrin disa çeta nën kryesinë e Halit Lleshit,
të Shani Bovçës e të disa të tjerëve që punojnë në Peshkopi e në Lumë në emër të Esat
Pashës; por pas disa përpjekjesh që këto çeta patën me ushtrinë italiane, tani e kanë
ndaluar shumë veprimtarinë e tyre… MARREVESHJA ME JUGOSLLAVINE-
Pas orvatjeve të padobishme të bëra nga disa prej nesh për një marrëveshje e një
bashkëpunim me Jugosllavinë, besonim se nuk do të mbetej më asnjë shqiptar, as brenda,
as jashtë atdheut, që të mashtrohej edhe një herë "prej lajkave të tyre dhelpërake".
Por nuk paskemi pasur të drejtë: zhgënjimet e shumta e të hidhura, që kanë pësuar
deri më sot shqiptarët në marrëdhëniet e tyre me sllavët, nuk u paskan vlejtur për
mësim, sepse sot akoma po gjenden disa që janë prapë gati të bien në bat.
Kur pamë se në një letër që na vinte nga Shkodra, thuhej se "të gjitha mjetet ishin
gati për një marrëveshje me Jugosllavinë", e kur lexuam në letrën që na shkruante
Z. Çekrezi më 24 shtatorin e kaluar se "shqiptarët e Amerikës do të prisnin me gëzim
çdo bashkëveprim tonin me Jugosllavët për të shpëtuar Korçën nga grekët", na u duk
se ishim në ëndërr, e filluam të kemi dyshim mbi vlerën e gjykimit popullor të kombit
shqiptar. Nuk duam të mburrim veten tonë, sepse sikur të ishim larg prej
punëve e të mos kishim përgjegjësinë e madhe që na rëndon mbi ndërgjegje, ndoshta
do të binim edhe ne në këto gabime të çuditshme: por me gjithë këtë, lehtësia e madhe
me të cilën disa shqiptarë japin gjykime të guximshme e këshillojmë masa rrënjësore
për zgjidhjen e çështjes kombëtare pa menduar fare fundin se ku do të dali, na bëjnë
herë - herë të dëshpërohemi për të ardhmen e atdheut. E pra, nuk duhet një mendje
tepër e hollë, as një eksperiencë tepër e gjatë për të kuptuar qëllimin me të cilin
jugosllavët "kërkojnë të na bëjnë vegël", e dëmin e madh që do t'i sillte Shqipërisë
mashtrimi ynë pas lajkave të tyre të rreme. Historia e vjetër dhe e re, premtimet
e ndryshme, dinake e pathemel që na bëjnë, njerëzit e mënyrat që përdorin, sjellja
e tyre përpara Konferencës kundër çështjes sonë, e kushtet e politikës së përgjithshme
duhej të na tregonin hapur se një bashkëpunim i jonë me jugosllavët në ditët e sotme
është jo vetëm i rrezikshëm, por edhe i pamundur. Nuk duhet të harrojmë se,
që prej shekullit VII, politika e sllavëve nuk ka pasur kurrë qëllim tjetër, veçse
shtypjen e ndrydhjen e fisit shqiptar e shuarjen e tij nga faqja e dheut, e kur të
dimë se në këto shtatë vitet e fundit ky sistem është zhvilluar dhe praktikuar me
rreptësinë më të egër, me zjarr e vrasje e therje që vazhdojnë edhe në ditët e sotme,
atëherë mund të parashikojmë lehtësisht se ç'fat i zi do t'i priste shqiptarët e mjerë
po të bënin gabim të afroheshin, jo më me një Serbi të vogël si ka qenë deri tani,
por me një Jugosllavi të madhe e imperialiste për dëshirat e pangopura, për të cilën
kufijtë që i ka premtuar Konferenca janë tepër të ngushta… Jugosllavët përdorin
njerëz e mjete vetëm për të krijuar ngatërresa në Shqipëri e për të rrezikuar çështjen
shqiptare, duke e poshtëruar përpara Konferencës e përpara botës së qytetëruar emrin
e kombit tonë, me qëllim që t'u mbushin mendjen Pushteteve të mëdha se shqiptarët
nuk janë të zotët të mendojnë për vete, se nuk dëshirojnë rregull e qetësi, se nuk
kanë elementët e nevojshëm për organizim e për administratë e se njerëzit që i përfaqësojnë
janë veglat e tyre…. Italia, e vetmja që duhet të na ndihmonte, duke mos
ditur si të sillet me shqiptarët e duke mos njohur e kuptuar interesin e vet të vërtetë
që kërkon një Shqipëri të madhe e të fortë, ka shkaktuar mes shqiptarëve një pakënaqësi
të thellë ndaj saj: e me lakmitë që ka për Vlorën e për përzierjen në punët e Shqipërisë,
lëndon tërësinë e sipërfaqes së shtetit shqiptar dhe e dëmton gjendjen tonë përpara
Konferencës. Vështirësitë e ndryshme kundër të cilave duhet të luftojë dërgata
shqiptare pranë Konferencës së Paqes, nuk janë as të pakta, as të vogla: por me gjithë
këtë, ne do të mundohemi t'i kapërcejmë si të mundemi më mirë, duke mbajtur gjithmonë
anën e së drejtës e duke u mbështetur gjithmonë mbi parimet e tërësisë, pavarësisë
e sipërfaqes së Shqipërisë brenda kufijve etnikë, që kanë qenë, janë dhe do të jenë
pikat themelore të patundshme të mbrojtjes së të drejtave tona kombëtare. Fragmente
nga shënimet për Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, gjetur në arkivat amerikane
marrë me shkurtime nga"Tirana Observer".
Fragment nga “Lahuta e Malesise”
për dëshmorët
O ata t’lumtë qi dhanë jetën, O ata t’lumtë, qi shkrinë
vehten, qi për Mbret e vend të Parve, qi për erz e nder’ t’Shqiptarvet derdhen
gjakun tue luftue, porsi t’Parët u pa’n punue! Lehtë u kjoft mbi vorr ledina, but
u kjofshin moti e stina, ak’lli, bora e serotina: E der t’kndojnë në mal ndo
i Zanë, e der t’ketë n’det ujë e ranë, der’ sa t’shndrisin diell e hanë, ata
kurr mos u harrojshin, n’kangë e n’valle, por u kndojshin. E njaj gjak qi kanë
dikue, ban, o Zot, qi t’jesë tue vlue për m’ia nxe zemrën Shqiptarit, për
kah vendi e gjuha e t’Parit ! P. Gjergj Fishta