Me 6 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Leonardin e Noblakut, vetmitar
(06.11.2009 RV) Burimi më i vjetër, në të cilin flitet për Shën Leonardin e
Noblakut, është vepra ‘Historić”, shkruar nga Ademari di Shabanes rreth vitit 1028.
Pak kohë më vonë, e pikërisht në vitin 1030, nisi të qarkullonte një vepër tjetër
anonime me titull ‘Jeta e Shën Leonardit”, me elemente të theksuara përrallore, që
megjithatë mbetet tregimi më i vjetër për jetën e Shenjtit. Sipas këtyre
burimeve, Leonardi lindi në Gali në kohën e perandorit Anastasi, në një familje fisnike
frankësh, miq të mbretit Klodoveu, që u bë nuni i tij në pagëzim. Në rini nuk pranoi
të hynte në radhët e ushtrisë e nisi të ndjekë pas Shën Remixhin, kryeipeshkvin e
Reimsit, i cili kishte marrë nga mbreti lejen të lironte të burgosurit, që do të takonte
gjatë shtegtimeve të tij. Kjo leje iu dha dhe Leonardit e edhe ai liroi një numër
të madh nga këta fatzinj. Ndërsa përhapej gjithnjë më shumë fama e shenjtërisë
së tij, Leonardi nuk pranoi dinjitetin ipeshkvnor, ofruar nga Klodoveu e u nis për
në Limozhë. Në sa shtegtonte nëpër pyllin e Pavumit, ndihmoi mbretëreshën, që e kishin
kapur papritmas dhimbjet e lindjes. Falë lutjeve të Shenjtit, ajo nxori në dritë,
në mes të pyllit, një djalë të bukur. Klodoveu, mirënjohës, i fali një pjesë të madhe
të pyllit, për të ndërtuar aty një manastir. Shenjti ndërtoi një oratorio
në nderim të Zojës së Bekuar dhe ia kushtoi një nga elterët kujtimit të Shën Remixhit.
Hapi, më pas, një pus, që u mbush mrekullisht me ujë. Rreth manastirit u vendosën
shumë nga familjarët e Shenjtit, duke krijuar kështu një fshat të madh, që më pas
do të quhej me emrin Shën Leonardi. Shenjti duhet të ketë vdekur në një vit
të papërcaktuar, aty nga gjysma e shekullit VI. Kulti i tij u përhap me shpejtësi
në të gjithë Evropën Qendrore, ku iu kushtuan shumë kisha e kapela.