2009-11-06 18:24:04

Lindja e Mesme: Abu Mazen nuk do të kandidohet për president në zgjedhjet e janarit 2010


(06.11.2009 RV)Presidenti aktual palestinez Abu Mazen nuk do të kandidohet sërish në zgjedhjet e janarit 2010. Lajmin e dha vetë kreu palestinez në një fjalim televiziv nga shtabi i tij i përgjithshëm në Ramallah të Çisjordanisë. Sipas shtypit ndërkombëtar, vendimi u mor si pasojë e deziluzionimit për linjën e SHBA-ve në Lindjen e Mesme dhe për shkak të amullisë së procesit të paqes me Izraelin. Mosparaqitja e kandidaturës nuk do të thotë se Abu Mazen heq dorë nga ideja e “dy shteteve për dy popuj”, siguroi presidenti. Për arsyet që e shtynë të bënte një hap të tillë të dëgjojmë ekspertin e Lindjes së Mesme, Xhorxho Bernardelli:
Çështja që solli këtë vendim është qëndrimi i shprehur ditët e kaluara nga sekretarja e shtetit amerikan, Hilari Klinton, e cila dëshmoi se administrata amerikane është shumë më pak e rreptë se në muajt e parë të presidencës së Obamës, përsa i përket ngulimeve e sidomos lagjeve të reja hebraike në Jeruzalemin Lindor.
Megjithatë, administrata amerikane ka deklaruar se do ta mbështesë Abu Mazenin, çfarëdo roli të ketë…
Kjo të bën të kuptosh se në të vërtetë, gjendja është në lëvizje të vazhdueshme. Administrata amerikane pa dyshim që e ka kuptuar mesazhin e Abu Mazenit dhe është shumë e shqetësuar për këtë vendim, pasi nuk shihet në horizont asnjë alternativë tjetër për presidencën e Autoritetit Kombëtar Palestinez.
Tani fillon gara e zëvendësimit. Barguti është dënuar në Izrael, Saeb Erekat duket i dobët e pa fuqi në frontin e brendshëm. Kush mund të jetë pasardhësi i Abu Mazenit?
Nëse Abu Mazeni nuk ndryshon mendim, vërtet është vështirë të kuptohet se kush mund të jetë kandidati. Ka dy emra të mundshëm: njëri është ai i Mohamed Dahlanit, dikur i fuqishëm në Gazë për partinë Al Fatah. Por, problemi është se Dahlan është armiku numër një i Hamasit. Alternativa tjetër është kryeministri Salam Faijad, por edhe këtu kemi një pikë të dobët: Faijad është thjesht teknokrat. Kandidatura e vetme, e fuqishme, është ajo e Bargutit, por e dimë të gjithë se ndodhet në burg në Izrael e qeveria e Tel Avivit nuk ka ndërmend ta lirojë. Këto zgjedhje me siguri nuk do të bëhen nëse Abu Mazen nuk do ta ndryshojë qëndrimin. Këto janë javë vendimtare për të shpëtuar jo vetëm procesin e paqes, por sidomos të ardhmen e perspektivës së ekzistencës së dy shteteve, Izraelit e Palestinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.