(05.11.2009 RV)Të dashur dëgjues, duke u përpjekur të kuptojmë fjalët që dëgjojmë
në Kishë, sot, do të flasim për “rrëfimin” e do të shpjegojmë se cili është
ai që i fal mëkatet: prifti me të cilin rrëfehemi, apo Zoti?
“Vetëm Zoti i
fal mëkatet” thuhet në Katekizmin e Kishës Katolike, por për ta kuptuar mirë Sakramentin
e Pendesës e të Rrëfimit, duhet të kemi parasysh se çdo fyerje që i bëjmë Zotit kalon
përmes një fyerje që i bëjmë njeriut. Është domethënës fakti se gjykimi i mbramë është
përshkruar nga Jezu Krishti si një lloj provimi mbi aftësinë tonë për të dashur të
afërmin: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar
e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha
në burg e erdhët tek unë” (Mateu 25,31-46). Ashtu si mëkati kundër Zotit bëhet
përmes sjelljes që kemi ndaj njeriut, ashtu edhe falja na vjen nëpër të njëjtën rrugë.
Ndërmjetësim njerëzor, që ka gjetur shprehjen e tij më të lartë te Jezusi, i cili
i ka dhënë fytyrë e zë faljes së Zotit. Mision, që Jezu Krishti ia ka besuar Kishës
së vet: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që
nuk jua falni, nuk u falen” (Gjoni 20,23). “Lajmi i mirë” është ky: mëkati
nuk e dominon historinë; nuk ka asnjë mëkat që nuk mund të falet e mëkatari të shëlbohet;
mëshira e Zotit ndalet vetëm para refuzimit të vetëdijshëm. Jezusi nuk përcaktoi një
ritual të saktë për t’i kërkuar falje Zotit. Bashkësia e krishterë, sipas përvojës
e nevojës së vet, përcaktoi ritin me të cilin të gjithë ata, që janë të ndërgjegjshëm
se e kanë thyer besëlidhjen e Pagëzimit me Atin Qiellor, bashkohen sërish me Zotin
e me vëllezërit në fe. Pendesa e sakramentet pra, nuk janë të nevojshme për Zotin,
por për ne. Zoti nuk ka nevojë për sakramentet për t’iu dhënë dashurinë e tij njerëzve
e për t’i falur. Jemi ne, ata që kemi nevojë t’i shprehim e t’i ushqejmë ndjenjat
tona të brendshme, përmes sjelljeve të jashtme. Për meshtarin thuhet se është
“i shuguruar”, pasi Hyji i beson detyrën e rëndësishme për t’i dhënë fytyrë e zë misionit,
që Jezusi i ka besuar Kishës. Mision ndërmjetësimi, që, pas reformës liturgjike të
Koncilit II të Vatikanit, shprehet qartë në lutjen e faljes së mëkateve, të cilën
meshtari e shqipton duke vendosur duart. Pra, është krejt Kisha, korp i dukshëm
i pranisë së Krishtit në botë, e cila, përmes ministrit të shuguruar, u jep besimtarëve
faljen e Zotit dhe pajtimin e plotë me bashkësinë e të pagëzuarve. Sakramenti
i Rrëfimit nuk ka asgjë të përbashkët me bisedën private me psikoanalistin, apo me
drejtorin e policisë, kur duhet të pohojmë një faj të rëndë. Koncili parashikon edhe
rrëfimin publik të të penduarve, por nuk duhet harruar se pendimi i vërtetë bëhet
në shpirt. Nëse nuk jemi penduar me të vërtetë, asgjë nuk vlen riti i jashtëm i rrëfimit.