Sot me 5 nëntor kalendari Kishtar kujton Shenjtorët Domnini e Teotimi, martirë
(05.11.2009 RV)Për Shën Domninin, që përkujtohet sot nga Kisha katolike, kemi
njoftime tepër të pakta, që mund të përmblidhen në fjalët: “Derdhi gjakun për Krishtin
në Çezare të Palestinës”. Disa studiues besojnë se Shën Domnini u martirizua nën
perandorin Maksimian, së bashku me Teotimin, Filoteun e Silvanin. Të tjerë përpiqen
të vërtetojnë shkencërisht se Shenjti e pësoi martirizimin nën perandorin Dioklecian
(shek IV). Çka dimë me siguri, është se Euzebi i Çezaresë, historian i martirizimit
të të krishterëve të parë, e kujton si një nga martirët më të njohur të Palestinës.
Sipas këtij burimi të sigurtë, Domnini ishte një djalosh i krishterë me dituri të
lartë, madje historiani i bashkësive të para të krishtera shpreh mendimin se mund
të ketë qenë mjek i cili, në përpjekjen për t’i pëngjarë Krishtit, e shkriu jetën
e tij të shkurtër, duke shëruar sëmundjet e korpit e të shpirtit. Po sot përkujtohen
edhe shenjtorët Teotimi, Filoteu e Silvani martirë, që u mbyten gjatë lojrave të cirkut,
organizuar për dëfrimin e popullit, si dhe Shën Ausenci i cili, në moshë të shtyrë,
u hodh në arenë mes bishave të egra, që e coptuan.