2009-11-05 14:36:50

Papa kujton kardinajtë e ipeshkvijtë e ndarë nga kjo jetë gjatë këtij viti: është jeta e amshuar ajo që i jep kuptim rrugës sonë tokësore.


(05.11.2009 RV)“Jeta duhet të jetë pritje e vazhdueshme e vigjilente, një shtegtim drejt jetës së amshuar, akti i fundit që i jep kuptim e plotësi rrugës sonë tokësore”: kështu u shpreh sot paradite, Papa Benedikti XVI në Bazilikën e Vatikanit, gjatë meshës për shpirtin e kardinajve e të ipeshkvijve, që u ndanë nga kjo jetë gjatë këtij viti.
Ati i Shenjtë i kujtoi një për një, duke falenderuar Zotin për këta dëshmitarë të Ungjillit, që i kanë shërbyer me besnikëri Kishës. Vdekja nuk i këput lidhjet e vëllazërisë shpirtërore, vulosur nga Sakramentet e Pagëzimit dhe të Shugurimit Meshtarak, theksoi Papa, i cili më pas reflektoi mbi ndarjen nga kjo jetë:
“Është e dhimbshme ndarja nga të dashurit, është një enigmë plot ankth momenti i vdekjes, por, për besimtarët, sido që të vijë ai, ndriçohet gjithnjë nga “shpresa e pavdekësisë”. Feja na mban në këto momente ngarkuar me trishtim e dëshpërim: “Para syve të tu jeta nuk mbaron por shndërrohet – na kujton liturgjia – e ndërsa shkatërrohet ndërtesa e këtij mërgimi tokësor, përgatitet një banesë e përjetshme në Qiell”.
Natyrisht – vazhdoi Papa – ka situata vuajtjesh e dhimbjesh, çaste të vështira për t’u kuptuar e pranuar. Por, çdo gjë merr vlerë, nëse konsiderohet në perspektivën e amshimit:
“Në fakt, çdo sprovë e pranuar me durim të vazhdueshëm dhe e ofruar për Mbretërinë e Zotit, kthehet në avantazh shpirtëror që këtu në Tokë e sidomos për jetën e ardhshme, në Qiell. Në këtë botë jemi kalimtarë, të sprovuar porsi ari në furrë, pohon Shkrimi Shenjt (Urtia 3,6). Të bashkuar mistershëm me Mundimet e Krishtit, mund ta kthejmë ekzistencën tonë në një ofertë të pëlqyeshme për Zotin, në një flijim vullnetar dashurie”.
Sëbashku me Shën Pjetrin, Papa bëri thirrje që të mbahet gjallë në zemra perspektiva e shpresës, pasi Jezu Krishti ka fituar mbi vdekjen, duke na dhuruar jetën e pafundme. Ati i Shenjtë i kërkoi ndihmë Nënës së Hyjit:
“Na ndihmoftë Virgjëra Mari edhe ne, akoma shtegtarë mbi tokë, ta fiksojmë vështrimin drejt atdheut që na pret; na dhëntë guxim të jemi gati, të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura, për të pritur Zotin, kur të vijë e të trokasë (Luka 12,35-36). Në çdo orë e në çdo çast. Amen!”







All the contents on this site are copyrighted ©.