kardinali Gjovani Batista Re mbi vendimin e Gjykatës evropiane për heqjen Kryqit.
Pyetje: - Hirësi, si e pritët vendimin e Gjykatës evropiane të Strasburgut?
Përgjigje:
- E prita këtë vendim të Gjykatës së Strasburgut me dhimbje e me habi. Me dhimbje,
sepse është fyerje, që i bëhet simbolit të stërshumicës së evropianëve: katolikë,
ortodoksë, luteranë, anglikanë, kalvinistë... Veçantia e krishterimit, madje, do të
thosha, origjinaliteti i krishterimit, bazohet pikërisht mbi Kryqin. E prita edhe
me habi, sepse Kryqi është simbol vlerash, që janë në themel të identitetit evropian.
Krishtërimi e bashkoi Evropën: ky vendim, për fat të mirë jo përfundimtar, është shenjë
se po shkohet në drejtim të kundërt nga ai që duhet, sepse nuk favorizon bashkimin
ndërmjet evropianëve, por përkundrazi, copëzimin e tyre.
Pyetje: - Ç’na
komunikon vizioni i Kryqit?
Përgjigje: - Kryqi është shenjë e një Zoti,
që e do njeriun deri në fund të fundit, aq sa të japë edhe jetën për të. Është një
Zot, i cili edukon me dashuri, me vëmendje për njeriun, posaçërisht për atë, që është
më i ligësht e më i pambrojtur. Edukon me respekt për të tjerët, edhe për ata, që
i përkasin kulturave e feve të tjera.
Pyetje: - A mund të çuditen ata,
që nuk janë të krishterë, për vizionin e Kryqit?
Përgjigje: - Lidhur
me këtë, unë pyes veten: të jenë kaq të dëmshme për ata që i përkasin feve të tjera,
por jetojnë në Evropë e ndjekin shkollat e vendit, pamja dhe simboli i krishterimit
e njohja, sadopak, e fesë që dha ndihmesën më të madhe për të farkëtuar Evropën?
Është, thua, e panevojshme të njohin traditat popullore e shumë e shumë manifestime
kulturore, të frymëzuara nga krishterimi? Kryqi është edhe simbol i kulturës sonë
e emblemë, mbi të cilën ngrihet qytetërimi evropian.
Pyetje: - E përsa
i përket laicitetit të shtetit?
Përgjigje: - Mbrojtësit e vërtetë të
laicitetit nuk duhet të harrojnë se autori i mesazhit të parë të laicitetit, ka qenë
pikërisht Zoti ynë, Jezu Krishti, kur tha: “Jepini Cesarit ate që është Cesarit
e Zotit, atë që është e Zotit! Nuk duhet harruar, pastaj, fakti se laiciteti i shëndetshëm
përfshin edhe respektimin e thellë të ndërgjegjes të të gjithëve e të secilit e se
mbrojtësi kryesor i ndërgjegjes njerëzore, është pikërisht Zoti ynë, Jezu Krishti,
i kryqëzuar e i ngjallur për mbarë njerëzimin. Prandaj, mbrojtësit e vërtetë të laicitetit,
do të duhej ta mbronin Kryqin!