2009-11-04 18:50:27

Helmut Kohl: gjatë rënies së Murit të Berlinit, tanket sovjetike i ndaloi Gorbaçovi


(04.11.2009 RV)Vetëm pak ditë nga 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, në një numër të veçantë, revista italiane “Epoka” boton një shkrim të ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, ku ai i njeh liderit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov, meritën e shmangjes së gjakderdhjes.
“Kujtoj akoma, madje shumë mirë, se sa ishte i shqetësuar Gorbaçovi me rënien e Murit. Kishte frikë mos situata i shpëtonte nga dora e më pyeti nëse ishte e vërtetë që një turmë e indinjuar po sulmonte strukturat e Ushtrisë së Kuqe në Berlin”, shkruan lideri kristiano-demokrat.
“Vetëm më vonë mora vesh se ishte informuar keq qëllimisht, me një objektiv të mirëpërcaktuar: përkrahësit e linjës së ashpër brenda rrethit të drejtuesve të Republikës Demokratike Gjermane, sëbashku me figura kyçe të KGB-së në Moskë, donin të shkaktonin një ndërhyrje ushtarake të trupave sovjetike të disllokuara në Gjermaninë Lindore”. Teksti i Kohlit është marrë nga parathënia e librit “Die Mauer” (Muri), botuar në Gjermani nga editori Fakeltreger.
“Në atë rast – shkruan akoma Helmut Kohl – e sigurova Gorbaçovin se frika e tij ishte pa bazë dhe se manifestimet po zhvilloheshin paqësisht. I besoi fjalës sime”, vazhdon ish-kancelari gjerman. “Më vonë, mora vesh se i kishte telefonuar edhe Vili Brandtit, i cili i kishte thënë të njëjtat gjëra. E kështu, ndryshe nga qershori 1953 (data e revoltës së punëtorëve), në vitin 1989 tanket sovjetike mbetën në kazerma”.








All the contents on this site are copyrighted ©.