2009-11-04 18:48:17

Habi e keqardhje në Vatikan lidhur me vendimin e Gjykatës evropiane për Kryqin. Nota e Atë Lombardit


(04.11.2009 RV)RealAudioMP3 “Vendimi i Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut kundër pranisë së Kryqit në klasat e shkollave, u prit me habi e keqardhje të thellë në Vatikan”: Këtë pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi. Ja fjalët e tij:

"Kryqi ka qenë gjithnjë simbol i ofrimit të dashurisë së Zotit, i bashkimit dhe i mirëpritjes për mbarë njerëzimin. Na vjen thellësisht keq, që shikohet si shenjë e përçarjes, e përjashtimit ose e kufizimit të lirisë. Nuk është kështu; njerëzit tanë, në përgjithësi, nuk e ndjejnë kështu.
Posaçërisht është e rëndë, kur kërkohet përjashtimi nga bota edukative i një shenje me rëndësi themelore për vlerat fetare në historinë e në kulturën italiane. Feja jep një ndihmesë të çmuar në formimin e në rritjen morale të njerëzve dhe është pjesë e rëndësishme përbërëse e qytetërimit tonë. Është e gabuar e dritëshkurtër përpjekja për ta përjashtuar nga realiteti edukativ.
Të çudit, pastaj, fakti që Gjykata evropiane ndërhyn rëndë në një fushë, e cila lidhet ngushtë me identitetin historik, kulturor e shpirtëror të popullit italian. Nuk është kjo rruga, që na nxit ta duam e ta pranojmë së bashku idenë evropiane që, si katolikë italianë, e mbështetëm fuqimisht qysh nga zanafilla e saj. Na duket se po bëhen përpjekje për të mos e njohur rolin e krishterimit në formimin e identitetit evropian, rol që ka qenë e mbetet themelor”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.