2009-11-03 15:27:15

Presidenti Shqipërisë Topi: para drejtësisë autorët që ushtruan dhënë ndaj gazetarit Mero Baze


(03.11.2009 RV)Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dënoi sot me ashpërsi, aktin vandal dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, si dhe kërkoi nga të gjitha organet e shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të venë përpara drejtësisë autorët e vërtetë.
Përmes një njoftimi për shtyp, Kreu i shtetit shqiptar u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri që të analizojnë me shqetësim këtë akt duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias.
"Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë", thuhet në deklaratën për shtyp të Presidentit të Republikës.
Edhe kryeministri e të gjithë liderët e partive politike dhe të institucioneve tjera e kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të njohur dhe botuesit të gazetës “Tema”, Mero Baze, mbrëmjen e kaluar nga biznesmeni Rezart Taçi dhe truprojet e tij.
Policia e Tiranës dha sot një deklaratë për shtyp lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmë në një lokal në zonën e ish- bllokut në Tiranë, kur ndaj gazetarit Mero Baze është ushtruar dhunë fizike nga disa persona.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë orëve të vona të mbrëmshme, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve: Bledar Lilo, 28 - vjec, lindur në Ersekë dhe banues Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë "Taçi Oil" dhe Irgen Selfo, 23 - vjec, lindur dhe banues në Tiranë. Ndërkohë që, është bërë shpallja në kërkim policor për shtetasin Rezart Taçi.
Policia sqaroi se shtetasit e arrestuar dyshohen se në bashkëpunim me shtetasin Rezart Taçi, 38 - vjec, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë President i Kompanisë Taci Oil, në ambjentet e brendshme të një lokali në rrugën "Brigada 8" në Tiranë, kanë goditur me grushta gazetarin Mero Baze, 43 - vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i medias së shkruar "Tema".
I dëmtuari Mero Baze, u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë ku pasi mori mjekimet e duhura u largua për në banesë. Më pas, shtetasi Mero Baze ka kryer një kallzim penal, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, ku ka deklaruar se është fyer e goditur për shkak të profesionit të tij si gazetar.
Gjithnjë sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe proçeduriale, ndërkohë që materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrerthit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "goditjes për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 237 dhe 25 të Kodit Penal. Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.