2009-11-03 11:03:21

Kosova sot në zi për tragjedinë në Tisa


(02.11.2009 RV)Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore në nderim të kosovarëve që humbën jetën para disa ditësh, në përpjekje për të kaluar lumin Tisa në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, në natën mes 15 dhe 16 tetorit.

“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke u bazuar në Nenin 48, pika 2.4 dhe pika 4 të Ligjit për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, Nr. 03/L-132, si dhe duke ndjerë thellë dhembjen e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për tragjedinë që e kanë pësuar qytetarët - shtetasit e Republikës së Kosovës, duke u përpjekur ta kapërcejnë lumin Tisa para disa ditësh, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka marrë vendim që data 2 nëntor 2009 (ditë e hënë) në Republikën e Kosovës, në shenjë nderimi për të gjitha viktimat e kësaj tragjedie, të shpallet Ditë zie shtetërore!, thuhet në vendimin e Presidenti Sejdiu.

Të gjitha institucionet dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë udhëzuar që t’i përmbahen këtij vendimi duke respektuar dispozitat e ligjit.

Në të gjithë vendin, flamujt do të valëviten sot në gjysmështizë, ndërsa stacionet televizive do të anulojnë transmetimet argëtuese.

Partitë politike kanë pezulluar për një ditë të gjitha aktivitetet partiake në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 15 nëntorit. Shtabet zgjedhore dhe kandidatët u kanë shprehur ngushëllime familjeve që humbën të afërmit e tyre në tragjedinë e Tisës.

Dy javë pas tragjedisë, akoma nuk dihet numri i saktë i personave të mbytur. Deri më tani janë gjetur tetë trupa pa jetë. Po kaq të tjerë nuk janë gjetur ende. nga BalkanWeb







All the contents on this site are copyrighted ©.