2009-11-03 15:46:43

Gjykata e të drejtave të njeriut ndalon vënien e Kryqit në klasat e shkollës


(03.11.2009 RV)Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg njoftoi sot vendimin për të ndaluar vendosjen e Kryqeve në shkolla, duke i dhënë kështu të drejtë akuzës së bërë nga një finlandeze, që jeton në Itali, tashmë qytetare italiane. Sipas Gjykatës, Kryqi në klasa dhunon të drejtën e prindërve për t’i edukuar fëmijët sipas bindjeve të tyre dhe dhunon edhe lirinë fetare të fëmijëve.
Historia fillon në vitin 2002, kur Soile Lautsi Albertin i kërkon institutit Vitorino nga Feltre, në Albano Terme pranë Padovës, të heqë Kryqin nga klasat që frekuentonin të bijtë, pasi ai e pengonte t’i edukonte ata si laikë. Pas refuzimit të shkollës, gruaja e çoi çështjen në gjyq, por gjykatat italiane e konsideruan veten jo kompentente, duke ia kaluar problemin Strasburgut. Gjykata për të drejtat e njeriut i jep sot të drejtë zonjës Lautsi dhe i imponon qeverisë italiane t’i paguajë 5 mijë euro si dëm moral.
Vendimi saktëson se prania e një simboli të krishterë në klasë mund të jetë inkurajuese për nxënësit që besojnë, por krejt e kundërta për ata të feve të tjera, ose për ateistët. Menjëherë kanë reaguar politikanët dhe institucionet italiane, duke e quajtur vendimin absurd. Qeveria italiane do të apelojë kundër tij. Shumë politikanë e njerëz të kulturës kanë theksuar se prania e Kryqit në klasë nuk është imponim i fesë së krishterë, por pasqyrim i traditës shpirtërore dhe kulturore të Italisë. Nxënësit janë të lirë të edukohen sipas parimeve që duan. Selia e Shenjtë është rezervuar të komentojë pasi të njihet më mirë me vendimin. Është për t’u vënë në dukje se Gjykata e Strasburgut është institucion i Konventës evropiane për të drejtat e njeriut, por jo i Bashkimit Evropian, pra, nuk duhet ngatërruar me Gjykatën e Drejtësisë.
Por të dëgjojmë komentin e presidentit të Komisionit për ekumenizmin dhe dialogun në Konferencën Ipeshkvnore italiane, imzot Vinçenco Palja:
Më duket se (vendimi) niset nga një premisë, që sipas meje, shpreh dobësi humanistike, përveç asaj fetare që duket qartë. Edhe sepse laiciteti nuk është mungesa e simboleve fetare, përkundrazi, është aftësia për t’i pranuar e mbështetur. Para boshllëkut etik, moral, që shpesh shohim te rinia, të mendosh se mund ta ndihmosh duke bërë, si të thuash, tabula rasa në gjithçka më duket vërtet miopi, edhe sepse presupozon konceptimin e kulturës si të lirë vetëm në masën që nuk përmban asgjë, ose ka vetëm atë që mbetet e çrrënjosur nga çdo histori, çdo traditë, çdo trashëgimi. Aq më tepër që sheshet e rrugët tona janë plot me Kryqe. Nuk besoj se ka njerëz që pretendojnë të shkatërrojnë simbolet fetare në sheshe e rrugë, sepse ato dhunojnë lirinë fetare të ndonjërit! Atëherë, do të preferoja atë qytetërim mesdhetar, që pranonte në qytete, ku kanë mbetur edhe sot, simbole e shenja të feve të tjera. Kur Papa Pali VI pati vështirësi, pas lejes për ndërtimin e xhamisë në Romë, tha: “Është shenjë e madhe qytetërimi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.