2009-11-03 15:58:51

Artistët do të takohen me Papën me 21 nëntor: intervistë me imzot Ravazin


(02.11.2009 RV)Më 5 nëntor, imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, do të paraqesë pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, takimin e Benediktit XVI me artistët. Ngjarja e madhe, në program për datën 21 nëntor, do të përkujtojë dhjetëvjetorin e Letrës së Gjon Palit II drejtuar Artistëve. Mbi qëllimet e këtij takimi, intervistuam vetë imzot Ravazin.

Përgjigje: - Dëshiron të krijojë një kontakt pikërisht për të rilidhur fillin, që nisi 45 vjet më parë, në të njëjtën fushë, në Kapelën Sikstine, nga Pali VI, me një fjalim të paharrueshëm, përmes të cilit Papa u kërkonte artistëve t’i kuptonin nga qielli, nga Shpirti Shenjt, thesaret e tij e t’i vishnin me fjalë, me ngjyra, me forma; ta bënin Atë të kuptueshëm, duke rikrijuar, kështu, lidhjen ndërmjet fesë e artit. Ja, pra, ky është filli i artë, që niset nga ky fjalim, për të arritur, pas dhjetë vjetësh, në Letrën drejtuar Artistëve. Problemi kryesor është pikërisht se ky fill, në shumë raste, u hollua ose u këput fare, sepse dy botët, ajo e artit e ajo e fesë, në këto kohët e fundit, duke u larguar nga tradita shumëshekullore, po ecin në shtigje krejtësisht të ndryshme.

 
Pyetje: - Për shkëputjen e botës së artit nga bota e fesë në epokën bashkëkohore, fliste edhe Gjon Pali II në Letrën e lartpërmendur. Cilat janë shkaqet e kësaj shkëputjeje?

Përgjigje: - Kjo shkëputje ka shkaqe të mirëpërcaktuara: nga njëra anë kujtojmë shekullarizimin rrënjësor të shoqërisë bashkëkohore, që – mund të themi - i shtyn artistët t’i braktisin në sirtaret e pluhurosura të ndonjë rafti, të gjitha rrëfimet, simbolet, figurat, traditat e mëdha ikonografike, të cilat buronin posaçërisht nga kodi i madh, që është Bibla. Prandaj na duket e rëndësishme që Benedikti XVI shprehu dëshirën t’i takojë këto dy horizonte, sepse në të vërtetë ndonjë element vijon të ruhet, duke i rihapur kështu rrugët e gjëra të traditës të së kaluarës. Dua të marr vetëm një shembull, që ka të bëjë me arkitekturën. Arkitektura kishtare e kohëve të fundit është në duar të arkitektëve të mëdhenj, që po përpiqen të ripropozojnë hapësirën kishtare, sipas kanunene të reja. Kështu, pra, nuk mund të themi se ky fill është këputur fare; e atje ku është këputur a rrezikon të këputet, duhet rilidhur, sepse kjo do të jetë pozitive si për fenë, ashtu edhe për artin.

 
Pyetje: - Teologjikisht, ç’ju bën më shumë përshtypje në Letrën e shkruar dhjetë vjet më parë nga Gjon Pali II?

Përgjigje: - Nga këndvështrimi teologjik, sigurisht na çon tek teologjia e artit, që pati shprehjen e vet më të lartë në shekullin e kaluar, përmes veprës ‘Gloria’ të Hans von Urs Baltasar 1. Por, nga ana tjetër, mund të them se kjo ‘via pulchritudinis’ – kjo rrugë e bukurisë – në disa nga periudhat e historisë, ka arritur në majat e fesë e të teologjisë. Elementi, sigurisht më domethënës, është se artitët, letrarët, poetët, muzikantët, janë ftuar gjithnjë për të endur rishtas dialogun teologjik. Vlen të kujtohet këtu mendimi i një teologu të madh, një historiani të teologjisë, si Chenu, i cili në veprën e tij kushtuar teologjisë së shekullit XII, kujtonte se është e rëndësishme të merren mirë parasysh edhe artet, duke i konsideruar si mjete teologjike, domethënë, si udhë që krijon mundësitë për të kuptuar Misterin e Hyjit, ashtu si teologjia.
1 “Gloria – estetikë teologjike” – trakatat teologjiko-filozofik i teologut zvicerano-gjerman, Hans von Urs Baltasar (1905-1988) botuar ndërmjet viteve 1961 - 1969







All the contents on this site are copyrighted ©.