2009-11-02 17:49:58

Një varr për Dom Ndre Mjedjen.


Kush është ndaluar, në kohët tona, për të kujtuar Dom Ndre Mjedjen pranë varrit, ku duhej të pushonte në paqe? Kush ka ndezur një qiri a ka vënë një lule mbi tumbën, ku prehet? Askush! Sepse askush nuk e di ku prehen eshtrat e Meshtarit, Poetit e Gjuhëtarit të madh. Ndonjëri mund të thotë: “Jemi ngopur me histori mortesh e muranash, tumbash e torturash, vdekjesh e varresh. Tani na duhen fjalë jete e jo vdekjeje! Duhet të lartojmë monumentet e së sotmes, e jo të hapim varret e së djeshmes...”.
Përgjigje, kjo, që ndoshta-ndoshta vjen edhe nga që shqiptari i shkretë, veç të tjerash, nuk arrin ta kuptojë dot as vlerën që kanë varret e varrezat, historinë e të cilave asnjë pendë shqiptare, deri më sot, s’e ka marrë mundimin ta kujtojë, duke harruar se nderimi ndaj tyre është pjesë të pandarë e edukatës, e kulturës dhe e vetë historisë së çdo Kombi.
Do të duhej shkruar një libër i trashë, për ta mbushur këtë zbraztësi. Po nuk është ky rasti për të hyrë në hollësira të kësaj natyre, që gjithsesi do t’u mësonin shqiptarëve se edhe eshtrat, heret a vonë, fillojnë e flasin. Si folën eshtrat e zhvarrosura e të flakura mizorisht, në ditë të zeza të historisë sonë, nga varret e thyera e të plaçkitura të Rrëmajit në Shkodër. Si folën kafkat, të cilat fëmijët e diktaturës i përdorën në vend të topit të futbollit. Si flasin e flasin grimcat e eshtrave, shpëtuar gand, të Atë Gjergj Fishtës, nga varri i ri, që i kushtuan sivëllezërit françeskanë, në Kishën e Gjuhadolit.
Nuk është, pra, këtu rasti. Nuk e kemi ndër mend të bëjmë një shtegtim ndërmjet fantazmave të së kaluarës së afërt, as të largët, ta ftojmë lexuesin në vendin, ku shuajnë zhurmat e botës. Ku hesht çdo kotësi. Ku mbijeton e flet vetëm ajo, që ishte vërtetë e madhe në jetë. Ku nisin e na shikojnë sytë e atyre që, duke vdekur, kërkuan më shumë Dritë, për vete e për ne të gjithë!
Mjafton të kujtojmë se varret kanë pasur gjithnjë po atë rëndësi, që kanë tempujt e zotave e banesat e të gjallëve. Prej tyre mësojmë si jetuan popujt e lashtë. Historia e shkruar e njerëzimit nis pikërisht atëherë, kur njeriu mësoi të hapë, me nderim e dije, kapakët e varreve e të mundohej për të nxjerrë jetën e vdekur, përsëri në jetë.
Për të mos kujtuar tumba më të lashta, varret e faraonëve vijojnë të studiohen si libra shkence - jo vetëm historike, që shpalosin para njerëzve të kohëve moderne, lashtësinë mijëra vjet larg nesh.
E nga viti, që ndan më dysh epokat, duke shënuar fillimin e një kohe të re, trashëguam vendin më të nderuar ndërmjet Viseve të Shenjta, për të cilin u derdh shumë gjak i krishterë, që të mbetej cak shtegtimesh: Varrin e Krishtit.
Në Mesjetë, pastaj, dy qytete, Ravena e Firence nisën grindjen për një varr: atë të Dantes. E Krijuesi gjenial i ‘Komedisë Hyjnore’, njeriu që, me fantazinë e tij të pashterrshme, zbriti në ferr e u ngjit në Parriz, duke kaluar nëpër Purgator, mbeti në Ravenë, sepse nuk mund të kthehej i vdekur, në Firencen që e pati dëbuar për së gjalli. Kështu edhe Ravena u bë cak shtegtimesh. Atëherë Firences iu desh të kënaqej me një muranë pa eshtra, ngritur në Bazilikën e Santa Croce-s, që njihet si Panteoni i Artistëve. Aty mund të ndalohesh pranë varrit të njerëzve të famshëm, që bënë historinë e Kishës e të Italisë, si Shenjtorët Bonaventura e Bernardini i Sienës; papët Siksti IV, Leoni X e Klementi XIV; shkencëtari i famshëm, Galileo Galilei; artistët e penelit, të daltës, të pendës e të tingujve, si Mikelanxhelo Buonaroti; Ugo Foskolo, Vitorio Alfieri; Xhoakino Rosini... e me ta, pesëmbëdhjetë mijë të vdekur të tjerë me nam. Kështu Bazilika fiorentine u bë e famshme si rojtare e Urnave të të Fortëve.
Nuk mund të lemë pa kujtuar Varret e Papëve në Kriptën e Vatikanit, pastaj, ndërmjet të cilëve, kryevepra si monumentet e famshme të shekullit XVII e XVIII, ku prehen Urbani VII e Aleksandri VII, të dy të dalë nga dalta e Berninit, pa kujtuar këtu varret e Mbretërve në Kriptën e kapuçinëve në Vjenë e varre të famshme private, shkapërhapur në të katër anët e botës
Ndërmjet tyre, varri i shumëpërfolur i Wofgang Amadeus Mozart. Muzikantit gjenial, vdekur e varrosur në vitin 1791, pas kremtimit të Meshës së dritës në Stephansdom, katedrale e Vjenës, i humbi varri, që u gjet vetëm në vitin 1829. E u desh të kalonin edhe disa vjet, për të realizuar, më 1855, një monument përkujtimor në vendin, ku hamendësohej se i preheshin eshtrat. Më vonë monumenti u zhvendos mes grupit të lapidarëve të muzikantëve të famshëm, në Varrezën e Zentralfriedhof.
E në kohët tona moderne, tre vende: India, Shqipëria e Maqedonia kërkojnë të drejtën për të pasur një varr: atë të së Lumes Nënë Terezë, historia e eshtrave të së cilës i ngjet sadopak asaj të Dantes. Prandaj shqiptarët mund t’i kushtojnë një varr si ai i Bazilikës “Santa Croce”. Në Katedralen e Tiranës, ndoshta! Duke i kujtuar botës se vendi që e kërkon me ngulm së vdekuri Ganxhe Bojaxhiun, si Firence Danten, s’e pati pranuar kur ishte gjallë e kur dëshironte mbi gjithçka, të lutej e të ndizte një qiri pikërisht mbi një varr të dashur, ku treteshin pa gjetur paqe, e ëma dhe e motra.
Duhet kujtuar, pastaj, se në historinë e letërsisë botërore, e edhe të asaj shqiptare, shumë krijime u kushtohen varreve... Letërsia italiane ka një vepër të famshme, titulluar ‘ I Sepolcri”, “Varret”, shkruar nga Ugo Foskolo. Dhjetra poetë të shquar në botë i kanë kushtuar vargje varreve të të dashurve e varreve të të mëdhenjve, që bënë historinë e njerëzimit. Planeti është përplot me varre e letërsia, me kryevepra, që u kushtohen. Atë Fishta, përveç elegjive “Mbi vorr t’ Alois Paliq O.F.M.” e “Mbi vorr t’A. Anton Zannonit S.J.”, i dhuroi letërsisë shqipe kryeveprën ‘Nji lule vjeshte’1 ; ndërsa vetë Mjedja është autor i poezisë së njohur ‘Vorri i Skanderbegut”2, në të cilën, ndërmjet tjerash, sikur ta parandjente çdo t’i ndodhte pas vdekjes, shkruan:

Çou, o trim, e mbi t’tú vllazen
Sielli syt qi xhixhilloshin;
Kqyr sá kobe n’ta po shprazen;
Kqyr se komeve qi t’droshin,
Sot mbi né ju mbet parija.
Jo t’bâj bé, s’â kjo Shqypnija
Qi ti rrite me krah tand”.

Duke kërkuar ndjesë për këtë largim të gjatë, por të domosdoshëm, të kthehemi përsëri tek kërkimi i varrit të Dom Ndre Mjedjes. Ndre Mjedja vdiq më 1 gusht 1937. Pas vdekjes e zbritën në një varr të hapur rishtas poshtë asaj Kishe, ku pati bërë hapat e para në rrugën e meshtarisë e ku, si pati ecur shumë nëpër botë, u ndal përgjithmonë, për të pushuar në paqe. Ndërmjet shtratit të vdekjes e varrit, funerali madhështor, sepse, siç shkruan nxënësi i tij i dashur, Injac Zamputti, “ ...me njatë frymë qi ká dijtë me i dhanë vepres së vet... u bâ i padekshëm...
Foli për Tê nji Argjipeshkev, foli nji kryetar bashkije: nderë e madhe, por Aj e meritoi” - vijon të shkruajë nxënësi i dashur.
“Pat nji funeral qi e organizoj djelmënia shkodrane, pa dallim besimi: e para herë ndoshta qi nji dekë bashkon në këtë mënyrë lulen e djelmnisë intelektuale, por Aj e meritoi.
... Aj nuk âsht mâ. Lavdet qi kurr s’i dote, lavdet qi bota duket se i ruen per vedi... lavdet qi vetem deka ua ep të mëdhajvet, ato sot mund të shpërthejnë prej zemrës qi njohti zemrën e Tij, prej mendes qi kupton menden e tij, prej vepres qi vepron në veprën e Tij. Ai nuk âsht mâ. Dom Ndreu nuk na ndin. Mundena me folë pá ua ndalë hovin ndiesive tona”.3
Mund të flasim për Mjedjen si personalitet i kulturës shqipe, sepse ishte ndër klerikët e paktë katolikë, që u pranuan, pjesërisht, nga diktatura. Por nuk mund të flasim për varrin ku mendohej se do të pushonte në paqe, deri ditën e zgjimit të fundit. Sepse diktatura nuk mund të duronte nëpër këmbë varre që flisnin, varre prej nga dilte gjamë e kushtrim! Erdhën kohë kur vendi ku prehej Poeti e humbi paqen. Kur duar barbare, të pamësuara, shkatërruan e grabitën gjithçka munden, jetë njerëzish, sidomos. E shi ato duar do të rrëmonin deri në kriptën, nën Kishën e Jezuitëve, për ta lënë Mjedjen pa varr, por jo pa lavdi, si Skëndërbeun, si Bogadanin, si Fishtën. Po ç’u bënë eshtrat e Dom Ndre Mjedjes?
Pata rastin, shumë kohë më parë, të dëgjoja e të ruaja një dëshmi të rrallë. Ma rrëfeu brigadieri i një skuadre të Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit (NSHN) që zbriti në kriptë, në vitin ogurzi 1967, kur iu dha grushti përfundimtar relikeve të mbrame të fesë së krishterë në Shqipëri. Quhej Pal Delia, sot fatkeqësisht i vdekur. Kryesonte, asokohe, punëtorët, që zbritën në varrezat e jezuitëve, poshtë Kishës, për të zhvarrosur eshtrat e etërve, kallur në atë vend të shenjtë. Pali më tregonte se të gjithë kishin mbetur tejet të çuditur kur, duke hapur arkivolat krejt të paprishura, kishin gjetur nga një tub qelqi, brenda të cilit ruhej biografia e banorëve të atyre qelive të errëta mortore. Natyrisht, edhe biografia e Ndre Mjedjes. I kishin mbetur në mendje tubat e jo eshtrat. Edhe mua, që e dëgjoja, më lanë një mbresë aq të fortë tubat e nxjerra nga varri i tyre prej qelqi, që ruanin kujtimin e aq jetëve, sa aso kohe s’më shkoi në mend ta pyesja ku mbaruan eshtra e tuba.
Kuptohet se skuadra e punëtorëve nuk kishte hyrë aty për t’i nderuar ato eshtra, për të medituar për kuptimin e jetës e të vdekjes, për t’u lutur... Ishin ditë kur një nderim i tillë të kushtonte burgun; një meditim, internimin; një lutje, jetën. I hapën, prandaj, arkivolat, më keq se turqit Varrin e Skënderbeut. Them më keq, sepse turqit të paktën i nxorën eshtrat për t’i bërë hajmali, që t’i shpëtonin nga shpata. Kurse punëtorët e varfër, që kishin në torbë drekën me bukë e ujë, e dinin mirë se edhe në atë vend të akullt, ku shkelte vetëm vdekja, ishte i pranishëm syri i rreptë i sigurimit gjakatar. I nxorën, prandaj, eshtrat nga arkivolat, siç qenë porositur, e i mblodhën në ca thasë plastike. Pastaj, kur Kisha e jezuitëve u bë teatër kukullash, kripta u kthye në gropë ujërash të zeza, jo për kukullat, natyrisht. Kukullat nuk do ta kishin bërë kurrë një shëmtim të tillë! E këtu mbaron edhe historia e varrit të poetit të madh, Dom Ndre Mjedja! Mbaron shi atje, ku duhet të fillonte!
Të gjitha përpjekjet për ta gjetur vendin ku u flakën eshtrat e jezuitëve të zhvarrosur, ndërmjet të cilave, edhe ato të Mjedjes, shkuan kot.
Varri i Poeti nuk gjindet më në Kriptën e Etërve Jezuitë. Nuk gjindet as në veprën e Mark Gurakuqit që i kushtoi një monografi (sepse asokohe ishte ende në varr të vet), e as në librin e Rinush Idrizit. Mentor Quku, studiuesi më i zellshëm i Mjedjes, që ka zhbiriluar e ka mbledhur mijëra shkrime e dëshmi tejet të hollësishme, me vlerë e pa vlerë, për jetën dhe veprën e Personalitetit të shquar, duke shkelur edhe nëpër botë, kudoi shkeli këmba Meshtarit-Poet, nuk është, çuditërisht, në gjendje të thotë asnjë fjalë për varrin e Tij. Ndonëse gjetja e varrit të Mjedjes nuk do të kishte më pak rëndësi, sesa vëllimet e shumta, botuar për Poetin pa varr.
Jezuitët e Shkodrës, që kanë ngritur në Rrëmaj muranën më të bukur, për kujtim të sivëllezërve të vdekur, ndërmjert të cilëve, Atë Meshkalla, Atë Luli, Atë Vata, nuk e dinë ku përfunduan thasët plastikë me eshtrat e Etërve të Shoqërisë Jezus, që aqë shumë i kishin dhënë tokës, e cila nuk u dha ‘as varr, për hor”!
Që nga koha kur u krye një mizori e tillë, nuk kanë kaluar mijëra shekuj, që të shlyhej çdo gjurmë. Ka kaluar vetëm një gjysëm shekulli. Brigadieri i skuadrës makabre vdiq, por nuk mund të besojmë të kenë vdekur të gjithë punëtorët, të cilët atë ditë të zezë, kur tërbohej revolucioni i kuq, ardhur nga Kina e verdhë, zbritën në kriptën e jezuitëve! Thua s’ jeton më askush, që mund të flasë, që mund të tregojë...? Ndonjë do të ketë mbetur gjallë. I lutemi, pra, të flasë. Të tregojë. E të kemi një varr për atë, “deka e të cilit bashkoi, si asnjëherë, lulen e djelmnisë intelektuale, pa asnjë dallim”. Që të mund ta bashkojë përsëri e përsëri!
Gjithnjë Injac Zamputti i pati kushtuar Mjedjes poezinë e titulluar Dom Ndre Mjedja 4:
 “Me dek' fillon lumnija qi kerkojmè,
 e aty n'atè oden t'uej tue dek' Plak shkreta
 do t'jèt lumnue kah pau vashat ilire
njashtu si i kndoi: t'tan' valle e kangè e kcim
 e me koshere n'krye... e tue i dal' para
 si trimavet dikùr, kah luftash kthejshin
 tue kèndue per fitore. Trim ngadhnjyes!
 N'luftim t'padàm me mote, kundershtare
 t'fòrta e t'pàdhimb', nè drit' nji giuhè e qite,
 ilirve u dhae prap mbreten, prap bylbylit
 kangen shqiptare i ktheve, eren lulevet
 u fale n'vllàj shqiptarè e Skanderbegun
 dijte me e shkundun eshtnash sà prei vorrit
 zemer me u dhàn' shqiptarvet per lirì;
 ty gadi 'i kunor' lari qi s't'dha bota
 t'gershetojn sod ilirsit t'tù ...
 Poezia flet për një kunorë lari, që i gërshetojnë ilirasit e vdekur kah mot Poetit. Duke kujtuar se Ndre Mjedja jo vetëm që mbeti pa kurorë dafinash, por edhe pa varr, na vjen pa dashur në mendje britma e Fishtës, gjithashtu i pavarr: “Sugrite, mortui! Çohi të dekun!”.5 Çohi të dekun, se të gjallët s’losin vendit! Poeti Kombëtar i shkruante vargjet, që tingëllojnë si ftesë për meditim e jo më pak, si qortim, kur ai vetë ishte i dëshpëruar; kur Atdheu ishte i tradhtuar; shqiptari, i zhgënjyer.
Thua do të dimë “me e shkundun Mjedjen eshtnash, sa prej vorrit zemer me u dhanë shqiptarëve, me i a gjetun vorrin?”.
Zamputti kërkon për Të një kurorë dafinash. Ndërsa ne pyesim: “Duhet apo s’duhet kurorëzuar balli i Kangatarit të Juveniljes; i Gjuhëtarit të madh; i Meshtarit, që i dha letërsisë kishtare veprat pak e aspak të njohura: “Jeta e Shêjtit Shë Njon Berkmansit”; “Të pergiamit e Zojës së Bekueme”; “Lumnít e Zojës”; “Devocioni i Zemres së Jezu Krishtit”; “Katekizmi i madh”; “Jeta e së Lumes Virgjines Mëri”, nxjerrun prej veprës ‘Cuneus Prophetarum”; “Shën Luigj Gonazaga”; “Visari shpirtnuer”, “Historia Shêjte”. Këto vepra e të tjerat, që i njohin të gjithë, tregojnë se ai ball tashmë është kurorëzuar. Tashti Mjedja nuk ka më nevojë për kurorë, por për varr! Atij, që shkroi për Skënderbeun:
“Diq: vorfnisht n’njat vorr â mblue
Pá lumní mâ i madh luftari”.
mund t’i këndojmë sot kështu:
“Diq: medet, pa vorr ka mbetë,
Pá lumní mâ i madh Poeti”7
Ai duhet ta ketë një varr! Qoftë edhe pa eshtra, si varri që i ngritën fiorentinët Dantes. Shkodra ia ka borxh. Shqipëria ia ka borxh! Shqiptarët ia kanë borxh!
____________
1
Atë Gjergj Fishta, “Mrizi i Zanave”, Shtypshkroja ‘A. Gj. Fishta, Shkoder 1941, “Nji lule vjeshte”, fq 130.
2 Ndre Mjedja “Juvenilja”, Rilindja, Prishtinë, 1990, Vorri i Skanderbegut, fq 59
3 Shih Revistën LEKA, Vjeta IX, nr. 7, gusht 1937, Injac Zamputti, “Zi në familje të “LEKËS”.
4 Shih “LEKA”, 1938, nr 8-9; Injac Zamputti, “Dom Ndre Mjedja”.
5 ‘é’ - përdoret në vend të ‘ë’.
6 Atë Gjergj Fishta, “Mrizi i Zanave”, Shtypshkroja ‘A. Gj. Fishta, Shkoder 1941, Sugrite, Mortui”, fq 43
7 Vep. cit.







All the contents on this site are copyrighted ©.