2009-11-01 12:31:16

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(01.11.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi Solemnitetin e Të gjithë Shenjtorëve.

Nesër, e Hënë, përkujtimi i gjithë besimtarëve të vdekur, na sjell në mend fjalët plot shpresë të Shkrimit Shenjt: “Jam i sigurtë se do të sodis mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve”. Kush beson në Krishtin e ka fituar që tani jetën e pasosur, që do të realizohet plotësisht në ringjalljen përfundimtare.

Të martën do të kremtohen Shën Martini i Porres, rregulltar domenikan e Shën Silvia, nëna e Shën Gregorit të Madh. Bashkojmë zërin me atë të Psalmistit në lutjen: “Ma ruaj, o Zot, paqen e shpirtit”.

“Të ndjekësh Jezusin, do të thotë të heqësh dorë nga gjithçka. Në se nuk arrin të bëhesh ashtu si duhet të jesh, do të thotë se i ngjet kripës, që e ka humbur shijen. Na e kujton këtë festa e Shën Karl Borromeut, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal, që do të kremtohet të mërkurën.

 
Dy shembëlltyrat e deles dhe monedhës së humbur, në liturgjinë e së enjtes, vënë në dukje kujdesin e Zotit për secilin prej nesh. Na e kujtojnë, në ditën e festës së tyre, të enjten, Shenjtorët Domnini, Teotimi e shokë, martirë.

Do të kremtohet të premten Shën Leonardi vetmitar. Liturgjia e festës së tij na kujton se bijtë e kësaj toke ia kushtojnë gjithë vëmendjen punëve të tyre të pandershme. Ndërsa bijtë dritës e kalojnë jetën duke bërë mirë e duke punuar vetëm për ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit.

Të shtunën kalendari shënon emrat e Shën Baldit, të Shën Prosdoçimit, ipeshkëv i parë i Padovës dhe të Shën Vilibrordos, ipeshkëv. Na kujtojnë se pasuritë duhet t’i shërbejnë së mirës. Mjer kush bëhet skllav i tyre! Sepse vlerat tona nuk përkojnë gjithnjë me ato të Zotit e, në se shkëputemi prej tij, mund të humbasim thesarin më të çmuar: jetën e pasosur.

E diela e ardhshme është e 32-ta e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.