2009-11-01 20:07:48

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: Shenjtorët na ftojnë ta ndjekim Krishtin me gëzim e pa komplekse. Ta jetojmë në dritën e krishterë Përkujtimin e të vdekurve.


(01.11.2009 RV)“Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot dje në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan tha se Shenjtorët na ftojnë ta ndjekim Krishtin me gëzim e pa komplekse dhe i ftoi besimtarët ta jetojmë në dritën e krishterë Përkujtimin e të vdekurve.
“Nuk jemi të vetëm! Jemi pjesë e një ‘shoqërie’ shpirtërore në të cilën mbretëron një solidaritet i thellë”, tha Benedikti XVI duke kujtuar përmasën e “bukur e ngushëlluese” të Bashkësisë së Shenjtërve në fjalimin drejtuar 40 mijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për lutjen e Engjëllit të Tënzot. “Ky realitet” - theksoi Papa duke komentuar festën liturgjike të 1 nëntorit, që njihet me emrin e të Gjithë Shenjtërve - “i jep një tjetër përmasë tërë jetës sonë”. Ne jemi pjesë e një shoqërie dhe bashkësie shpirtërore në të cilën mbretëron solidariteti i thellë’: e mira e secilit në dobi të të gjithëve e, anasjelltas, lumturia e përbashkët rrezatohen në çdonjërin personalisht”.
Për Papën teolog bëhet fjalë për “një mister të cilin në një farë mënyre mund ta përjetojmë e shijojmë qysh në këtë botë, në familje, në miqësi e posaçërisht në bashkësinë shpirtërore të Kishës”.
Benedikti XVI dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kujtoi edhe ” përkujtimin e përvitshëm të të gjithë besimtarëve të vdekur” që Kisha e përkujtoi sot me 2 nëntor. “Dua t’u bëj thirrje ta jetojmë për përkujtim sipas traditës së krishterë të vërtetë, do të thotë në dritën që vjen nga Misteri i Pashkëve:
“ Derisa vizitojmë varrezat, të kujtojmë se atje, në varreza, pushon vetëm trupi i pajetë i të dashurve tanë në pritje të ringjalljes përfundimtare!. Shpirtrat e tyre -përfundoi Papa duke cituar Biblën - janë që tani ‘në duart e Zotit’. Prandaj, mënyra më e përshtatshme dhe efikase për t’i nderuar të dashurit tanë të vdekur është të lutemi për ta, duke ofruar vepra feje, shprese, dashurie e bamirësie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.