2009-11-01 20:24:47

Kujtimi i shenjtorëve na tërheq drejt qiellit


(01.11.2009 RV)Kremtojmë sot me gëzim të madh festën e të Gjithë Shenjtorëve.
Duke vizituar një fidanishte botanike, njeriu mbetët i mrekulluar para larmisë së pemëve e luleve, e në mënyrë spontane të shkon mendja tek fantazia e Krijuesit i cili e ka bërë tokën një kopsht të mrekullueshëm. Ndjenja të ngjashme na pushtojnë kur e konsiderojmë spektaklin e shenjtërisë: bota na duket si një “kopsht”, ku Shpirti i Zotit nxit me fantazinë e mrekullueshme një aradhe shenjtorësh e shenjtëreshat , të çdo moshe e kushti social, të çdo gjuhe, populli e kulture.
Secili është ndryshe nga tjetri, me tiparet e posaçme të personalitetit të vet njerëzor e të karizmes së vet shpirtërore. Por që të gjithë bartin “vulën” e Jezusit (krh Zb 7,3), do të thotë gjurmët e dashurisë së tij, të dëshmuar përmes Kryqit. Të gjithë janë në gëzim, në festë të pa mbarim, por, si Jezusi, këtë cak e kanë arritur duke kaluar përmes mundimit e sprovave (krh Zb 7,4), duke e përballuar secili pjesën e vet të flijimit për të marrë pjesë në lavdinë e ringjalljes.


Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve është formuar gjatë mijëvjeçarit të parë të krishterë si kremtim i përbashkët i martirëve. Që në vitin 609, në Romë, Papa Bonifaci IV e pati shuguruar Pantheonin duke ia kushtuar Virgjërës Mari e të gjithë Martirëve. Ndër të tjera, këtë martirizim, mund ta kuptojmë në kuptimin e gjerë të fjalës, do të thotë si dashuri për Krishtin pa rezerva, dashuri që shprehet në dhuratën e plotë të vetes Zotit e vëllezërve.
Ky cak shpirtëror, drejt të cilit të gjithë të pagëzuarit priren, arrihet duke ndjekur udhën e “lumturive” ungjillore, që liturgjia na i tregon e propozon në solemnitetin e sotëm ( krh Mt 5,1.12.a). Është e njëjta udhë e shënuar nga Jezusi e të cilën shenjtorët e shenjtëreshat janë munduar ta përshkojnë, me vetëdijen e plotë që kishin për kufizimet e tyre njerëzore. Në ekzistencën e tyre tokësore, në të vërtetë, kanë qenë të varfër në shpirt, të pikëlluar për shkak të mëkateve, të butë, të uritur e të etur për drejtësi, të mëshirshëm, të pastër në zemër, punëtorë të paqes, të persekutuar për shkak të drejtësisë. E Zoti i ka bërë ata pjesëmarrës të lumturisë së Tij Hyjnore: në këtë botë e kanë parashijuar e, përtej, e gëzojnë lumturinë në plotësi. Tani janë të ngushëlluar, trashëgimtarë të tokës, të nginjur, të falur, e shohin Zotin bijë të të cilit janë. Me një fjalë: “e tyre është Mbretëria e qiellit” (krh Mt 5,3.10).


Në këtë ditë e ndjejmë në ne se po na afrohet fuqia tërheqëse drejt Qiellit, që na shtyn ta përshpejtojmë hapin e shtegtimit tonë tokësor. Në zemër ndjejmë ndezjen e dëshirës së flaktë për t’u bashkuar përgjithmonë me familjen e shenjtërve, pjesë e së cilës kemi hirin të jemi qysh tani. Siç thotë një këngë e njohur spiritual: “Kur do të vijë aradha e shenjtorëve të tu, oh sa do të doja, o Zot, të isha ndërmjet tyre!”.
Urojmë që ky synim e kjo dëshirë të ndizet flakë në të gjithë të krishterët, e ti ndihmojë të kapërcejnë çdo vështirësi, çdo frikë, çdo vuajtje, çdo mjerim! Të dashur miq, ta vejmë dorën tonë në dorën amënore të Marisë, Mbretëreshës të të Shenjtorëve, e ta lejmë veten të na udhëheq Ajo drejt atdheut qiellor, në shoqërinë e shpirtrave të lumë “ të çdo kombi, populli e gjuhe” (Zb 7,9). E në lutjen drejtuar Hyjit të bashkohemi me të dashurit tanë të vdekur, të cilët i përkujtojmë nesër.







All the contents on this site are copyrighted ©.