Liturgjia e Fjalës e Festës të të Gjithë Shenjtorëve. 'Drejt atdheut të përbashkët,
ne shtegtarë mbi tokë.
(01.11.2009 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit
të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të festës
të të Gjithë Shenjtorëve, që Kisha kremton nesër me 1 nëntor. Kjo festë na kujton
idealin e krishterë të shenjtërimit e kremton aradhen e atyre vëllezërve e motrave
tona, që gjatë shekujsh e deri në ditët tona, janë dalluar në mënyrë të posaçme për
një jetë të jetuar në përkim me vullnetin e Fjalët e Zotit e që pas vdekjes gëzojnë
lumturinë e jetës në Zotin. Pra, festa e të Gjithë Shenjtorëve është festa e atyre
që gëzojnë lumturinë Hyjnore por që nuk janë shpallur zyrtarisht e kanonikisht shenjtorë
nga Kisha. Kjo festë na fton të shikojmë drejt atdheut të përbashkët, drejt lumturisë
qiellore në Jetën e pavdekshme në Krishtin e Gjallë në bashkim me të Gjithë Shenjtorët. Kur
flasim për shenjtorët, nuk duhet ti mendojmë si heronj, sepse ata janë njerëz si ne,
por e kanë marrë seriozisht Ungjillin e Krishtin në jetën e përditshme, e kanë jetuar
thellësisht, e dëshmuar, e duke vepruar kështu, u bënë vërtetë të jashtëzakonshëm,
u bënë shenjtorë. Po duhet thënë se shenjtorët janë njerëz të zakonshëm, normalë,
madje edhe me gabime e me të meta. Po këto gabime e të meta arritën t’i ndreqnin,
të ndriçuar nga drita e Ungjillit, duke e Biblën fjalë për fjalë e duke e dëshmuar
ditë për ditë me besnikëri të jashtëzakonshme. Shenjtëria, sipas kuptimit biblik,
nuk është tjetër veçse përsosuri, pra mund të themi se shenjt është njeriu i mirë,
njeriu që ka arritur të bëhet NJE me Zotin, i cili është i përkryer. Kështu, me
1 nëntor kremtojmë ditën e të gjithë shenjtorëve, Festa e të Gjithë Shenjtorëve u
përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të krishterëve
thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë e të
kenë si ideal, përsosurinë. E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim me
thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e* lartë e jetës
për çdo të krishterë. Në fillimet e krishterimit, anëtarët e Kishës me tjerash,
quheshin edhe ‘shenjtorë’ dhe i krishteri, si i tillë, është tashmë shenjt, sepse
pagëzimi e bashkon atë me Jezusin e me misterin e Pashkëve të Tij, por njëkohësisht
edhe duhet të shenjtërohet, duke u njësuar gjithnjë më shumë me Krishtin gjatë jetën
tokësore. Kur flitet për shenjtërinë dhe shenjtorët, shpesh mendohet se shenjtëria
është privilegj që u përket vetëm pak të zgjedhurve. Në të vërtetë, të bëhesh shenjt
është detyrë e çdo të krishteri, madje mund të themi, e çdo njeriu! Shkruan shën
Pali Apostull se Zoti na bekoi me çdo bekim shpirtëror e na zgjodhi në Krishtin, që
të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri” (Ef.1, 3-4). Prandaj të gjithë
njerëzit janë të thirrur për shenjtëri, gjë që në fund të fundit do të thotë të jetosh
si Bir i Hyjit, në shëmbëllim me të, ashtu siç u krijuam. Të gjitha qeniet njerëzore
janë bij të Hyjit, e të gjithë duhet të bëhen atë çka janë, përmes rrugës së dashurisë
e të shenjtërimit, bijë të dashur të Zotit e vëllezër njëri me tjetrin. Prandaj Hyji
i fton të gjithë të bëjnë pjesëtar në radhët e popullit të tij të shenjt. Rruga për
këtë është Krishti, Biri, Shenjti i Hyjit: “askush nuk shkon tek Ati, posë nëpër Të”.
Për këtë arsye Kisha i ka vënë, me urti, njëra pas tjetrës festën e Gjithë Shenjtorëve
dhe Përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur: pikërisht “atyre do t’ia kushtojmë
posaçërisht lutjen tonë më 2 nëntor e për të vdekurit do të kremtojmë Flijen Eukaristike.
Në të vërtetë, çdo ditë e në çdo meshë, Kisha na fton të lutemi për ta, duke ofruar
edhe vuajtjet e mundimin e përditshëm, me qëllim që, plotësisht të pastruar, besimtarët
e vdekur të mund të pranohen për të gëzuar në amshim dritën dhe paqen e Zotit”.
“Duke shtrënguar dorën tonë në të sajën, e ndjejmë se mund të ecim më me zell në
rrugën e shenjtërisë. Në këto dy festa t’ia besojmë jetën tonë përdëllimit të Zotit
e Atij ti lutemi edhe për të dashurit tanë të vdekur, me shpresën se një ditë do të
jemi të gjithë së bashku, në shoqërinë e lumnueshme të shenjtorëve”. Mos të harrojmë
se “shenjtëria nuk është privilegj për pak të krishterë, por detyrë e mundësi për
të gjithë njerëzit”. E tani t’i dëgjomë leximet biblike të solemnitetit të
të Gjithë Shenjtorëve e pastaj homelinë.......00:18:58:66