2009-10-31 17:11:41

Atë Lombardi: “Komunikimi e Kisha”.


(01.11.2009 RV)“Komunikimi e Kisha” titullohet editoriali i Atë Federiko Lombardit, për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:
“Kisha e komunikimi”; “bashkimi është fryt i komunikimit”. Pohime të forta, që u theksuan disa herë gjatë asamblesë së Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, mbajtur këto ditë. Në të vërtetë çdo reflektim e çdo projekt duhet të niset jo aq nga forca tërheqëse e mjeteve të reja të komunikimit, sa nga vetë natyra e misioni i Kishës, që lind nga kumtimi i Fjalës së Zotit e rritet si bashkësi, e thirrur, edhe ajo, të kumtojë.
Komunikimi pushton gjithë jetën e Kishës, veprimtarinë e anëtarëve të saj, barinj e besimtarë. E në se dëshirohet që mesazhi të arrijë tek njerëzit e kohës sonë, posaçërisht sot, edhe tek të rinjtë – tek “të lindurit dixhitalë’ siç i quajnë tashmë – komunikimi i Kishës duhet të mishërohet me guxim në gjuhët e reja, duhet të dijë t’i kushtojë vëmendjen e duhur teknikave të reja dhe qëndrimeve të reja psikologjike. E tha Papa në fjalimin përfundimtar, duke folur për sfidën që kemi përpara “për ta ruajtur të pandryshuar përmbajtjen” e Ungjillit e ‘për ta bërë të kuptueshëm përmes mjeteve e mënyrave, që përkojnë me mendësinë e kulturën e sotme”.
Të përdoren, prandaj, teknologjitë e reja e mënyrat mediatike në fshatin global: e kjo do të bëhet me më shumë pasion, me më shumë zgjuarësi e me më shumë impenjim, sa më shumë të bindesh se ke një Fjalë të çmuar për të kumtuar; një Fjalë tejet të pashterrshme e të bukur, që mund të frymëzojë pa fund çdo shprehje të re krijuese e t’i japë dinjitet çdo gjuhe të re. Ka rëndësi që sot, në këtë shoqëri të komunikimit, të gjithë ata që i përkasin Kishës, ta fitojnë këtë vetëdije!".







All the contents on this site are copyrighted ©.