Sot me 3o tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gjermanin, ipeshkëv
(30.10.2009 RV)Kush dëshiron ta njohë
më thellësisht Shën Gjermanin ipeshkëv të Kapuas, mund të shfrytëzojë një bibliografi
të pasur, që flet për të e për veprimtarinë e tij, duke filluar nga libri me titull
“Jeta e Shën Gjermanit”. Vepra, shkruar tre shekuj pas vdekjes, jep njoftime të përgjithshme
për jetën e ipeshkvit shenjt. Gjermani lindi në Kapua, në shekullin V. Ishte
bir i Amancios e Gjulianës, qytetarë të shquar të qytetit historik. Pas vdekjes së
babait, Gjermani trashëgoi një pasuri të madhe. Me miratimin e s’ëmës, shiti gjithçka
kishte lënë i jati. Paratë e fituara nga shitja, ua ndau të varfërve. Kështu mundi
t’i kushtohej plotësisht jetës shpirtërore, për të cilën ishte i thirrur dhe t’i kalonte
ditët e jetës tokësore me lexime të shenjta, lutje e pendesë. Në vitin 519, pas vdekjes
së ipeshkvit të Kapuas, sipas zakonit të kohës, kleri dhe populli e zgjodhën Shenjtin
në vendin prelatit të vdekur. Jetoi në kohën e skizmës akaçiane, që mori emrin e patrikut
të Kostandinopjës, Akaçio. Skizma zgjati 35 vjet dhe e ndau Kishën e Lindjes nga Roma.
Por që në ditët e para të zgjedhjes së Justinianit, perandori kërkoi nga papa
të dërgonte një delegacion për të rivendosur paqen ndërmjet dy Kishave. E papa e dërgoi
menjëherë delegacionin, në krye të cilit caktoi ipeshkvin e Kapuas, Gjermanin, gjë
që tregon sa i urtë e i virtytshëm ishte Shenjti. Delegacioni, i pritur triumfalisht
në Kostandinopojë, ia doli mbanësh t’i bindte kundërshtarët ta pranonin formulën e
papës. Ishte e Enjtja e Madhe e vitit të largët 519. Kështu u rivendos paqja
e u kapërcye rreziku i thellimit të përçarjes. Delegatët e papës ndejën një vit të
tërë në Bizanc, për ta përforcuar rezultatin e madh që ishte arritur, për ta përhapur
edhe në Kishat e tjera Lindore e për të përballuar rrezikun e kundërshtimeve që mund
të vinin nga murgjërit shiitë. U kthyen në Romë më 10 korrik të viti 520, vit
pas të cilit ipeshkvi shenjt vijoi veprimtarinë e gjithanshme në favor të bashkimit
e të lulëzimit të Kishës. Shën Benedikti tregon se, ndërsa po lutej në Montekasino,
pa në vegim shpirtin e Shën Gjermanit duke u ngjitur në qiell, i mbartur nga Engjëjt.
Patriku shenjt dërgoi menjëherë njerëz të interesoheshin për shëndetin e Shën Gjermanit.
Mori përgjigjen se kishte dhënë shpirt pikërisht në çastin kur ai kishte pasur vegimin:
ishte data 30 tetor e vitit 541.