2009-10-30 17:53:16

Rusia kujton viktimat e dënon krimet e Stalinit


(30.10.2009 RV)Me asgjë nuk mund të justifikohen miliona viktima të “spastrimeve”të Stalinit dhe përkujtimi i krimeve të përbindshme të diktatorit sovjetik është aq i rëndësishëm sa edhe fitorja kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore: kjo është domethënia e mesazhit të botuar sot nga Presidenti i Rusisë, Dimitrij Medvedev, përmes të cilit dënon veprimet e Stalinit në një Vend që mëse 60 vjet e nderon Stalinin si një hero.
“Asgjë nuk mund të ketë më shumë vlerë se jeta njerëzore. Me asgjë nuk mund të justifikohen shtypjet e përndjekjet” shkruan Medvedev me rastin e Ditës së përkujtimit në Rusi të viktimave të shtypjeve e përndjekjeve politike. “Kujtimi i tragjedisë kombëtare është aq i shenjtë sa edhe ai i fitores”, shkruan kreu i Kremlinit, duke shtuar se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë(..) të jenë të ndërgjegjshëm të ndjejnë dhimbje e të kenë mëshirë për njërën ndër tragjeditë më të mëdha të historisë ruse”, duke iu referuar miliona personave që vdiqën gjatë spastrimeve të mëdha që u zbatuan me urdhrin e Stalinit në vitet 1920-1930 dhe pas Luftës e gjatë kolektivizimit të dhunshëm.
Sot, me rastin e Ditës së përkujtimit, afër 500 persona manifestuan në Moskë para selisë së shërbimit sekret Fsb, trashëgimtare e Kgb, për t’u bërë homazhe viktimave të Stalinit.
Shtojmë se ka ardhur koha që ndër shqiptarë të kujtohen e përkujtohen viktimat e persekutimeve të komunizmit dhe të dënohen krimet e shokëve të Stalinit, si Enver Hoxha me shokët tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.