2009-10-30 17:40:18

Papa Observatorit Vatikanas në Vitin e Astronomisë: shkenca nuk duhet të jetë vetëm llogaritje dhe eksperiment, por të zbulojë, në Krijim, dashurinë e Zotit.


(30.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Shkenca duhet të hapë horizonte të reja për kërkimin e së vërtetës”: këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në audiencën me pjesëmarrësit në takimin, organizuar nga Observatori Astronomik i Vatikanit, me rastin e Vitit Ndërkombëtar të Astronomisë. Papa pohoi se në kundrimin e universit, ashtu si edhe të mrekullive të tjera të gjithësisë, mund të njohim veprën e Zotit-Dashuri.
Sot e nesër, Vrojtorja Astronomike e Vatikanit dhe Governatorati i Qytet-Shtetit të Vatikanit, kremtojnë Vitin e Astronomisë me një sërë nismash kulturore, në të cilat marrin pjesë astronomë nga mbarë bota.
Viti Ndërkombëtar i Astronomisë, kushtuar Galileo Galileit, na fton ta shikojmë universin me frymën e mahnitjes, duke u impenjuar që, përmes kësaj soditjeje, të kërkojmë gjithnjë të vërtetën: për këtë i nxiti Papa astronomët e ftuar nga të katër anët e botës në Romë nga Observatori i Vatikanit. Benedikti XVI nënvizoi se Krishti, Adami i Ri, është qendra e vërtetë e Universit dhe e historisë. Në të, që është Fjala e Mishëruar - vijoi Papa – shikojmë në tërësi madhështinë tonë si qenie njerëzore, të pajisura me arsye, të paracaktuara për një fat të amshuar. Në vijim Ati i Shenjtë kujtoi se historia e Vrojtores lidhet ngushtë me figurën e Galileos, me kundërshtimet, që iu desh të përballonte gjatë kërkimeve të tij shkencore e me përpjekjen e Kishës për kuptimin e drejtë e të frytshëm të lidhjes ndërmjet shkencës e fesë:
“I take this occasion to express my gratitude…”
Shfrytëzoj këtë rast – shtoi Papa – për të shprehur mirënjohjen time jo vetëm për studimet, që sqaruan rrethanat e sakta historike të dënimit të Galileos, por edhe për përpjekjet e atyre, që u impenjuan në një dialog e në një reflektim të vazhdueshëm, për të sqaruar se feja e arsyeja përplotësojnë njëra-tjetrën, në shërbim të kuptimit të plotë të njeriut e të vendit të tij në univers”.
Më pas Ati i Shenjtë përmblodhi shkurtimisht përparimet e diturisë, që frymëzuan etërit e shkencës moderne:
“Who can deny that responsibility for the future…”
Kush mund ta mohojë – pyeti Papa – se përgjegjësia për ardhmërinë e njerëzimit dhe respekti për natyrën kërkojnë, sot më shumë se kurrë, vëzhgim të vëmendshëm, gjykim kritik, duresë e disiplinë, cilësi themelore të metodës shkencore moderne? Por, njëkohësisht, shkencëtarët e mëdhenj të epokës së zbulimeve, na kujtojnë edhe se po kjo përgjegjësi e ky respekt, na ftojnë t’i lartojmë sytë drejt mbretërisë së lartë të shpirtit”.
“Knowledge, in a word, must be understood…”
Dija, me një fjalë - tha Papa – duhet të kuptohet e të ndiqet në të gjithë përmasën e saj çliruese. Natyrisht – vijoi Ati i Shenjtë – mund të kufizohet thjeshtë në llogaritje e eksperimente. Por, në se dëshiron të jetë dije e vërtetë, e aftë për ta drejtuar njeriun, duhet të synojë në njohjen e së vërtetës së fundme e cila, ndonëse i kapërcen aftësitë tona, mbetet gjithnjë çelësi i lirisë dhe i lumturisë sonë të vërtetë. Papa e përfundoi fjalimin e sotëm, me një nxitje drejtuar të gjithë shkencëtarëve:
“It is my hope that the wonder and exaltation…”
Shpresoj – tha Benedikti XVI - se mahnitja e lartimi, fryte të këtij Viti Ndërkombëtar kushtuar Astronomisë, do të na çojnë përtej kundrimit të mrekullive të krijimit, deri në kundrimin e vetë Krijuesit- Dashuri. Kjo dashuri – përfundoi Papa, duke kujtuar vargjet e Dantes – “vë në lëvizje diellin e mbarë yjet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.