2009-10-30 17:44:13

Kryeministri Shqipërisë Berisha takon Kancelaren gjermane, Angela Merkel gjatë Samitit të PPE, në Bruksel


(30.10.2009 RV)Kancelarja gjermane, Angela Merkel siguroi dje se "do të bëjë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen më të shpejtë të mundshme të problemit teknik që ka të bëjë me konstituimin e parlamentit gjerman, në mënyrë që të mos pengohet shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE".
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, së Tiranës gjatë punimeve të Samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Partive Popullore Evropiane (EPP), në Bruksel, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
"Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur që t'a konstituojë Parlamentin, para çdo vendimi që ka të bëjë më Bashkimin Evropian", tha Kryeministri Berisha.
Duke vlerësuar se fitorja e zgjedhjeve nga Kancelarja Merkel është historike për mbarë Evropën, Kreu i ekzekutivit të Tiranës informoi Kancelaren se "Shqipëria është në pritje të konstituimit të parlamentit gjerman". Sipas tij "Presidenca suedeze po pret të ketë dritën jeshile nga qeveria gjermane, në mënyrë që të diskutojë në Këshill, statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi vendet e tjera nuk kanë ndonjë rezervë".
"Kancelarja Merkel më informoi se të mërkurën ishte mbledhur Parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim do të vazhdojë konstituimi. Ajo më siguroi se do të bëjnë çdo gjë për t'a realizuar këtë në kohën më të shkurtër të mundshme", tha Kryeministri Berisha, në një prononcim për mediat në Bruksel. Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.