2009-10-30 17:40:41

Benedikti XVI ambasadores së re të Panamasë: Progresi i vërtetë nuk varet vetëm nga zhvillimi ekonomik, por edhe nga ai moral e shpirtëror.


(30.10.2009 RV)RealAudioMP3 Bashkëpunimi ndërmjet Shtetit e Kishës në promovimin e së mirës së përbashkët dhe koncepti i progresit të vërtetë të shoqërisë, ishin temat kryesore, që preku Papa, në fjalimin drejtuar sot paradite ambasadores së re të Panamasë pranë Selisë së Shenjtë, zonjës Delia Cárdenas Christie, që u prit në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale.
Roli i Kishës, për arsye të misionit të saj, nuk mund të ngatërrohet me atë të Shtetit, e as të njëjtësohet me programe politike. Kisha, që vepron në një mjedis me natyrë fetare e shpirtërore, përpiqet për promovimin e dinjitetit të njeriut dhe për mbrojtjen e të drejtave të tij themelore. Këtë pohoi Benedikti XVI, duke shprehur, në vijim, kënaqësinë për marëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Panamasë e duke ripohuar konceptin e laicitetit të shëndetshëm, i cili bazohet mbi respektin reciprok të këtyre dy mjediseve, që dallohen njëri nga tjetri. Por ky dallim – sqaroi Papa - nuk hamendëson indiferencën ose mosnjohjen e anasjelltë sepse, ndonëse me cilësi të ndryshme, Kisha e Shteti punojnë për të mirën e përbashkët të qytetarëve.
Në këtë kontekst, Papa i ftoi katolikët e Panamasë të punojnë për thellimin e barazisë shoqërore, ekonomike e kulturore, duke i kapërcyer interesat egoiste e duke i forcuar më tej institucionet demokratike. Lidhur me këtë – shtoi Benedikti XVI – nuk duhen kursyer përpjekjet për promovimin e një sistemi gjyqësor të pavarur e të aftë, gjë që do të ishte ndihmesë e çmuar për zhvillimin e një shoqërie të drejtë e vëllazërore, në të cilën askush nuk duhet ta ndjejë veten të harruar a të dënuar të bjerë pre e dhunës dhe e braktisjes. Benedikti XVI kujtoi, më pas, impenjimin e Kishës për të varfërit, të burgosurit, emigrantët, për mbrojtjen e jetës, nga zënia në vdekjen e natyrshme dhe të familjes së bazuar mbi martesën e një burri me një grua e, jo më pak, pastaj, luftën e Kishës kundër korrupsionit.Progresi i një shoqërie – tha në përfundim Papa – nuk varet vetëm nga zhvillimi ekonomik e teknologjik – por nga bashkëprania e përmasës etike e shpirtërore, që bëhet edhe më e theksuar kur vihet në jetë nga njerëz me shpirt të drejtë, me sjellje të paqortueshme e me vullnet të hekurt, që i kushtohen plotësisht së mirës së përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.