2009-10-29 17:34:17

Papa Benedikti XVI: në “planetin dixhital” të mediave, Kisha të promovojë një kulturë që respekton dinjitetin njerëzor.


(29.10.2009 RV)RealAudioMP3 Në një epokë në të cilën kultura lind, përpara se të lindë thelbi i përmbajtjes, nga vetë mënyrat nëpërmjet të cilave ajo përçohet, kumtimi i Ungjillit dhe i vlerave të krishtera nuk mund të veçohet nga përdorimi profesional i mediave, edhe të atyre që janë më të rejat. Ky është mendimi kryesor që Papa Benedikti XVI shprehu duke pritur sot paradite në Vatikan pjesëmarrësit në plenaren e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore. Gjatë audiencës Papa kujtoi edhe 50-vjetorin e Filmotekës vatikanase, e cila në arkivat e veta ruan – si minutazh – më se një shekull material filmik që tregon historinë e Kishës.

Një “komunikim i shpejtë që të pushton të tërin”, e që serviret nga teknologji në zhvillim të pandërprerë, i aftë të krijojë dhe të përhapë ide dhe lajme me mënyra që janë në të njëjtën kohë kapilare dhe globale, interaktive dhe të ndërlidhura. Ati i Shenjtë Benedikti XVI i përkufizoi saktë mjetet e reja të komunikimit, zhvillimin dhe revolucionin që ata kanë sjellë dhe po sjellin. Papa përmendi sensibilizimin e gjerë dhe “vetëdijen e ndërgjegjshme”, që të paktën duke filluar nga Koncili II i Vatikanit e deri më sot, Kisha “ka mbështetur dhe ka promovuar” nëpërmjet dokumenteve të ndryshme të magjisterit të saj. Sidoqoftë nuk është e thjeshtë të kuptohet plotësisht dhe të kodifikohet një sistem, ai i komunikimeve shoqërore, që nuk resht së degëzuari në instrumente të reja:

“Në fakt kultura moderne buron, - përpara se nga përmbajtja e mesazhit që përcjell, - nga vetë ekzistenca e mënyrave të komunikimit që përdorin gjuhët e reja të komunikimit, që përdorin teknikat e reja duke krijuar qëndrime të reja psikologjike. E gjitha kjo përbën një sfidë për Kishën, e cila është e thirrur t’ua shpallë Ungjillin njerëzve të mijëvjeçarit të tretë, duke e ruajtur të pandryshueshme përmbajtjen, por duke e bërë më të kuptueshme, falë instrumenteve dhe mënyrave që i përshtaten mentalitetit dhe kulturës së sotme.

Që para 20 vjetësh – kujtoi më tej Papa Racinger, – Gjon Pali II tek enciklika Redemptoris Missio thoshte se “nuk mjafton” të përdoren mediat për të përhapur mesazhin e krishterë, por se “duhet që mesazhi vetë të futet në këtë kulturë të re të krijuar nga komunikimi modern. Sot pas njëzet vjetësh, pohoi Benedikti XVI “karakteri multimedial dhe ndëraktiviteti struktural i mediave të reja...

“...ka zvogëluar, në një farë mënyre, specifikën e secilit prej tyre, duke i dhënë jetë, dalëngadalë një sistemi global komunikimi, prandaj, ndonëse secili prej këtyre mjeteve e ruan karakterin e vet të veçantë, evolucioni i tashëm i botës së komunikimeve na detyron gjithnjë e më shumë të flasim për një formë të vetme komunikimi, e cila bashkon në vetvete zëra të ndryshme ose i vendos ato në një plan të ndërsjellë bashkëveprimi.”







All the contents on this site are copyrighted ©.