2009-10-29 17:37:38

Në Moskë nderohen viktimat e spastrimeve staliniane.


(29.10.2009 RV)RealAudioMP3 Me dhjetra vetë u mblodhën sot paradite në Lubianka, në Moskë, për t’u bërë homazh viktimave të spastrimeve staliniane, në veçanti personave të pushkatuar gjatë spatrimeve të mëdha të viteve 1937-1938.
Organizata joqeveritare ruse “Memorial”, e cila organizoi këtë ngjarje përkujtimore, e kishte zgjedhur sheshin Lubianka për vlerën simbolike që ai ka: këtu gjendeshin zyrat e policisë sekrete sovjetike. Pikërisht në këtë shesh është vendosur, si monument, një gur që është sjellë nga ishujt Sollovki që gjenden vetëm 160 km larg Polit të Veriut e ku dikur kishte një kamp përqendrimi sovjetik.
Manifestuesit lexuan në rend alfabetik emrat, moshën dhe profesionin e viktimave të pushkatimeve të organizuara gjatë spastrimeve të mëdha të Stalinit. “Im atë është arrestuar në vitin 1938 dhe është pushkatuar tre muaj më vonë, sigurisht me akuzën e spiunazhit, sikurse edhe të gjithë të tjerët” - tregoi për të pranishmit Valentina Dygas, e cila shtoi se nuk e ka marrë kurr vesh motivin e vërtetë të arrestimit.
Në këtë manifestim morën pjesë edhe mësues e nxënës shkollash: “Detyra e përkujtimit është një vepër me karakter qytetar dhe është me rëndësi për fëmijët” thanë ata.







All the contents on this site are copyrighted ©.