2009-10-29 17:35:57

Imzot Marketo mbi emigracionin: Mesdheu, Deti i të drejtave të dhunuara.


(29.10.2009 RV)RealAudioMP3 Të drejtat e dhunuara të emigrantëve të parregullt që kapërcejnë Detin Mesdhe qenë në qendër të fjalës që kryeipeshkvi Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët mbajti në një simpozium organizuar pranë Universitetit Papnore Gregorian sot pasdite.
Edhe emigrantët e parregullt janë njerëz, pra kanë dinjitet dhe të drejta të pamohueshme. Tek ky parim, mbështetej edhe fjala e Imzot Marketos, i cili foli për kontrollet gjithnjë e më të rrepta në Mesdhe për të luftuar kundër të ashtuquajturëve “udhëtime të shpresës”.
Për evropianët, tha prelati, ky det është bërë përsëri “deti i yni”. Duke e pasur kufizuar e madje edhe zhdukur mundësinë e emigrimit të paligjshëm në territoret e Evropës, deti Desdhe, ka mbetur, për “ata që duan të emigrojnë rruga e kontrabandës dhe e trafikut të qenieve njerëzore.”
Më tej, në fjalën e vet, Imzot Marketo, nënvizoi konventat e shumta që shtetet janë të detyruara të respektojnë si: Konventa e Gjenevës e 1951 me protokollin përkatës mbi statusin e refugjatëve; traktatet e brendshme mbi riatdhesimin, kalimin tranzit dhe ripranimin e shtetasve të huaj në azil (në mënyrë të veçantë Konventa e Dublinit e 1990) dhe ajo e vitit 1950 për të Drejtat e Njeriut.
Në bazë të këtyre, asnjë person nuk mund të transferohet, të nxirret jashtë ose të riatdhesohet në një shtet ku ekziston rreziku se personi mund të dënohet me vdekje, mund të torturohet ose t’iu nënshtrohet formave të ndryshme të ndëshkimit ose të një trajtimi poshtërues e çnjerëzor.” Por këto konventa nuk zbatohen. Fjala vjen riatdhesimet në Libi nga ana e Italisë, sipas një marrëveshjeje në bazë të dy vendeve, pa vërejtur më parë se mos ka “refugjatë ose njerëz që në një mënyrë apo ndonjë tjetër, mund të dëmtohen”.
Në Libi, – shpjegoi më tej Imzot Marketo – ka qendra grumbullimi të emigrantëve dhe riatdhesimi ku kushtet, diku-diku janë të pranueshme por diku tjetër janë çnjerëzore dhe poshtëruese. Hyrja në këto qendra nuk lejohet prandaj është e vështirë të monitorohet respekti i të drejtave njerëzore, duke pasur parasysh pastaj se ky vend nuk e ka nënshkruar Konventën e Gjenevës të 1951, as Protokollin e 1967, e që madje nuk njeh as Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët.







All the contents on this site are copyrighted ©.