Terrorizmi taleban vazhdon të godasë Pakistanin dhe Afganistanin
(28.10.2009 RV)Afganistani e Pakistani
gjithnjë e më tepër në duart e terrorizmit pro taleban. Sot paradite, një atentat
i rëndë shkaktoi rreth 95 të vdekur e 200 të plagosur në Peshavar të Pakistanit, pikërisht
në ditën në të cilën sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton zbarkoi në Islamabad.
Po sot paradite, terroristët sulmuan një ndërtesë të OKB-së në Kabul. 9 persona mbetën
të vrarë, ndër të cilët 6 veprimtarë të OKB-së. Mbi objektivat e talebanëve, të cilët
morën përsipër atentatet, intervistuam pedagogun e Marrëdhënieve Ndërkombëtare
në Universitetin e Milanos, Aleksandër Kolombo: Ka shumë mundësi që objektivat
të jenë të ndryshme në Afganistan e në Pakistan e të jenë të ndryshme madje edhe brenda
Afganistanit. Vazhdojmë të flasim për talebanët sikur të ishin një, por është e qartë
se guerrilja ka forma të ndryshme, në të cilat hyjnë ç’mbetet nga regjimi i vjetër
taleban, disa milici të tjera islamo-radikale, që patën luftuar kundër talebanëve,
e pastaj, subjekte të tjera që ndjekin objektiva private e politike e madje edhe trafikantët
e drogës. Prandaj, ka pak nga të gjitha. Qëllimi është natyrisht, destabilizimi i
Afganistanit për ta bërë të vështirë ose të pamundur veprimin e kontingjentit ndërkombëtar.
Objektivi politiko-ushtarak është ai i rritjes së kostos së pranisë amerikane e perëndimore
në përgjithësi. Mënyra e vetme për këtë është të hapen sa më tepër fronte dhe turbullirat
të vazhdojnë sa më gjatë, që armiku t’i bëjë vetes pyetjen: “A ka më kuptim të qëndroj
këtu, apo jo?” Çfarë i lidh Pakistanin me Afganistanin në këtë moment? Ky
është ndoshta një ndër paradokset kryesore të strategjisë së dështuar, të paktën deri
më sot, të SHBA-ve e të aleatëve të tyre në zonë. Ideja fillestare ishte që Pakistani
të gjente burime për stabilizimin e Afganistanit, ndërsa po ndodh ekzaktësisht e kundërta,
pra, paqëndrueshmëria afgane po shtrihet edhe në Afganistan, deri në atë pikë, sa
ta çojë shtetin drejt rënies. Nga pikëpamja strategjike, a ka kuptim prania
e bashkësisë ndërkombëtare në rajon? Mendimi im është se më tepër se sa pasiguri
në administrimin e misionit, kemi pasiguri në objektivin e misionit. Sinqerisht, ky
i fundit është bërë i pakuptueshëm. Natyrisht, nuk mund të mendohet se mund të arrihet
ç’u deklarua në fillim, demokratizimi i Afganistanit. Mendoj se sidomos nga ana e
amerikanëve, duhet reflektuar mbi objektivat, më shumë se sa mbi mjetet për t’i arritur
ato. Pas talebanëve a mund të fshihet Al Kaida? E nëse po, cili është qëllimi:
krijimi i një internacionaleje terroriste? Al Kaida është si në Afganistan,
ashtu edhe në Pakistan, por nuk kuptohet mirë se cila është pesha e rrjetit terrorist
në krahasim me komponentet e tjera. Strategjia e Al Kaidës është t’i detyrojë SHBA-të
dhe aleatët të marrin përsipër impenjime të skajshme. Kjo deklarohet në shumë dokumente,
edhe në disa reflektime të Al Zavahirit, pra, jo aq fitimi i një copë toke më shumë,
por hapja e shumë fronteve, në mënyrë që amerikanët të mos munden t’i administrojnë
dot.