2009-10-28 17:54:59

Papa në audiencën e përgjithshme: më shumë vëmendje në Meshë leximit të Biblës, për të arritur tek e vërteta përmes fesë e arsyes.


(28.10.2009 RV)RealAudioMP3 Feja e arsyeja, kur dialogojnë me respekt njëra me tjetrën, janë si flatrat, me të cilat shpirti njerëzor lartohet drejt kundrimit të së vërtetës”. Është pohimi i Benediktit XVI në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Të pranishëm, 30 mijë besimtarë. Papa ia kushtoi katekizmin dy modeleve të teologjisë, asaj monastike e asaj skolastike, që u afirmuan në Evropën e shekullit XII, falë rrethanave të mbara shoqërore e kulturore. E i ftoi të krishterët e sotëm ta përvetësojnë thesarin e kësaj trashëgimie, jo vetëm shpirtërore.

Ta ushqesh jetën e të krishterëve, përmes dëgjimit më të vëmendshëm të Ungjillit e të Shkrimit Shenjt, siç mësonin 800-vjet më parë ithtarët e teologjisë murgare. E të kuptosh, përmes arsyes njerëzore, me një dashuri që bëhet mençuri, horizontet gjithnjë më të hapura të misterit të Hyjit, ashtu si mësonin teologët skolastikë, në të njëjtën periudhë. Janë dy trashëgimi themelore për besimtarët e sotëm, që Benedikti XVI i theksoi, duke ia kushtuar audiencën e sotme të përgjithshme, zhvillimit të teologjisë latine në shekullin XII. Duke folur përmbledhtas për një nga periudhat më të lulëzuara kulturore në Evropën mesjetare, që u shqua edhe për një pastërti më të madhe ungjillore brenda Kishës, favorizuar nga reforma gregoriane, Papa pohoi se në këto rrethana:
"Lulëzoi rishtas teologjia, duke fituar një vetëdije më të thellë për natyrën e vet: mprehu metodën, përballoi probleme të reja, përparoi në kundrimin e Mistereve të Hyjit, prodhoi vepra themelore, frymëzoi nisma të rëndësishme të kulturës, të artit e të letërsisë e përgatiti truallin për krijimin e kryeveprave të shekullit pasardhës, shekullit të Tomës së Akuinit e të Bonaventurës së Banjorexhos”.
30 mijë vetëve, që e ndoqën me vëmendje të madhe, Benedikti XVI u shpjegoi ndryshimet ndërmjet metodës, që përdornin murgjërit, nga njëra anë, e mendimtarët e kulturuar, nga ana tjetër, duke zhvilluar në këtë stinë mesjetare, mënyrën përkatëse për të bërë teologji. Teologjia murgare apo monastike – e quajtur kështu sepse lidhet me manastiret - vuri theksin kryesisht mbi shpjegimin e faqes së shenjtë, lectio divina, ose më qartë, mbi leximin e Biblës:
Sipas tyre, leximi i thjeshtë i Tekstit Shenjt nuk mjaftonte për të perceptuar kuptimin e thellë, unitetin e brendshëm e mesazhin e mbinatyrshëm. Duhej, prandaj, të praktikohej “leximi shpirtëror”, i prirë nga Shpirti Shenjt. Në shkollën e etërve i kushtohej vëmendje e veçantë shpjegimit të alegorive biblike, për të zbuluar, në çdo faqe të Besëlidhjes së Vjetër e të Re, atë që na thotë Jezusi e vepra e tij shëlbuese”.
Murgjërit e kohës ishin të përgatitur jo vetëm nga ana shpirtërore, por njihnin mirëfilli edhe vlerat letrare të tekstit biblik. Për ta, të bëje teologji, do të thoshte të dëgjoje fjalën hyjnore, duke e pastruar zemrën ku duhej të zinte vend, me një meditim të vazhdueshëm, i cili duhej të përfundonte me lavdërimin e Zotit. Kjo dinamikë – shtoi Benedikti XVI – është një ftesë që na drejtohet edhe ne:
“Ta ushqejmë jetën tonë me Fjalën e Zotit, me shembullin, përmes një dëgjimi më të vëmendshëm të leximeve e të Ungjillit, posaçërisht në Meshën e së dieles. Ka rëndësi edhe që, gjatë ditës, të gjejmë kohën e përshtatshme për meditimin e Biblës, që Fjala e Zotit të jetë llambë për hapat tonë të përditshëm mbi këtë tokë”.
Kjo për teologjinë monastike, ndërsa përsa i përket asaj skolastike, duhet të sqarojmë se lindi pikërisht në shkollat, të cilat më vonë u bënë universitetet e para. E këtë teologji e kultivuan – theksoi Benedikti XVI – profesionistë të vërtetë të kulturës, kërkues të pasionuar, që dëshironin të tregonin sa të arsyeshme e sa të thella janë misteret e Hyjit, të cilat duhen besuar me fe, pa përjashtuar domosdoshmërinë e kuptimit me arsye:
“Teologjia skolastike synonte të paraqiste unjësinë e harmoninë e Zbulesës së krishterë me një metodë, që u quajt pikërisht ‘skolastike’, domethënë ‘e shkollës’, e cila beson në arsyen njerëzore (...). Edhe sot e kësaj dite, duke lexuar përmbledhjet skolastike, nuk mund të mos prekesh thellë nga rregulli, qartësia, lidhja logjike e argumenteve e nga thellësia e disa gjetjeve intuitive”.
Në sa shpjegonte rrugën e zhvillimit të teologjisë skolastike e cila, duke u nisur nga një temë qendrore, vinte përballë teza të ndryshme, derisa arrinte në një summa, domethënë në një përmbledhje të autoritetit e të arsyes – Papa sqaroi ç’na kujton kjo teologji:
Na kujton se feja me arsyen kanë miqësi të natyrshme, të bazuar mbi vetë rendin e krijimit (...). Feja pranon përpjekjen që bën arsyeja për të kuptuar; arsyeja, nga ana e saj, pranon se feja nuk e përul, madje e shtyn drejt horizonteve më të hapura e më të larta”.
Duke u drejtuar, si zakonisht, përshëndetje grupeve të ndryshme, të pranishme në audiencë, Papa uroi që “Takimi me Pasardhësin e Shën Pjetrit, të ndikojë në shpirtin e secilit, duke i nxitur të gjithë të impenjohen për të dhënë dëshmi të reja të fesë së krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.