2009-10-28 17:55:14

Imzot Miliore denoncon: të krishterat janë bashkësitë më të diskriminuara në botë.


(28.10.2009 RV)RealAudioMP3 Liria fetare vijon të dhunohet në shumë vende të botës: këtë denoncoi imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që vijon në Pallatin e Qelqit në Nju Jork..
Në kundërshtim të plotë me atë, që shpallet vazhdimisht nga bashkësia ndërkombëtare e që përcaktohet në mjetet ligjore ndërkombëtare e në Kushtetutat e shumë shteteve, e drejta e lirisë fetare vijon të shkelet e të dhunohet vazhdimisht – theksoi ipeshkvi Miliore. Nuk ka fe në globin tokësor, që të jetë plotësisht e lirë nga çdo diskriminim. Shprehjet e intolerancës fetare duken në forma nga më të ndryshmet. Të panumërta janë rastet, të cilat paraqiten para Gjykatave dhe organizmave, që merren me të drejtat e njeriut. E në se intoleranca fetare në botë rritet, duhet sqaruar se të krishterët janë grupi fetar më i sulmuar – theksoi përfaqësuesi i Vatikanit – aq sa numri i të krishterëve, që pësojnë diskriminime në planin ligjor ose kulturor, arrin në 200 milionë vetë.
Ipeshkvi Miliore kujtoi sulmet e përsëritura, këto muaj, kundër të krishterëve në disa nga vendet aziatike, sidomos në Lindjen e Mesme, kundër bashkësive të krishtera, me pasojë vrasjen e plagosjen e shumë njerëzve, djegien e kishave e të shtëpive. Veprime këto – sqaroi prelati - të kryera nga fanatikët, si përgjigje ndaj akuzave bërë individëve të cilët – sipas ligjeve kundër blasfemisë – konsiderohen si njerëz që nuk e respektojnë fenë e të tjerëve. E në këto rrethana, Selia e Shenjtë e mbështet premtimin e qeverisë pakistaneze që t’i rishikojë këto ligje, të cilat u krijojnë ekstremistëve shumë lehtësi për t’i persekutuar lirisht ata, që zgjedhin një traditë tjetër fetare. Ligje, këto, që kanë favorizuar padrejtësi, dhunë sektare e dhunë ndërmjet feve. Qeveritë – nënvizoi përfaqësuesi i Vatikanit – duhet t’i shfuqizojnë këto ligje, të cilat shërbejnë si mjete për të mbështetur shpërdorimet. Po kështu, të gjitha shtetet duhet të heqin dorë nga hartimi i ligjeve, që e kufizojnë lirinë e shprehjes, gjë që çon në kufizimin e lirisë fetare deri në atë masë, sa autoritetet të shuajnë zërat disidente, t’u mbyllin gojën, sidomos, pakicave etnike e fetare. Ndërsa liria e vërtetë e fjalës mund të shërbejë për edukimin e respektit ndërmjet popujve e të krijojë mundësitë për t’i denoncuar shkeljet si intoleranca fetare ose racizmi, duke promovuar dinjitetin e barabartë ndërmjet të gjithë njerëzve. Prandaj është e detyrueshme – përfundoi prelati – që popujt me fe të ndryshme të punojnë së bashku për thellimin e mirëkuptimit të anasjelltë. Por për ta arritur këtë, duhet një ndryshim i vërtetë i mendjeve e i zemrave.







All the contents on this site are copyrighted ©.