Me fjalimin e Kardinalit Anxhelo Skola nisi sot viti akademik 2009-2010 i Universitetit
Salezian.
(27.10.2009 RV)Viti akademik 2009-2010 për Universitetin Papnor Salezian të
Romës, që këtë vit feston edhe 60-vjetorin e themelimit, nisi sot paradite me fjalimin
e kardinalit Anxhelo Skola, patrik i Venecies. Fjala e tij u përqëndrua tek tema “Arsimimi
dhe Universiteti” në të cilën prelati ripohoi se universiteti është i tillë nëse “nxit
mëndjen, zemrën dhe veprimin” për të zbuluar pastaj “dhuratën e arsyeshme të së vërtetës”.
Fjala
e kardinal Skolës u përqëndrua tek koncepti i “paideias” – fjalë greke që do të thotë
arsimimin dhe edukim, model shkollor ky i Athinës klasike. Prelati, ndër tjera, nënvizoi
se “detyra e universitetit është që t’u mundësojë studentëve realizimin e plotë të
humanizmit të tyre”. Një detyrë e rëndësishme kjo që përshkohet nëpër punën e docentëve
që ofrojnë vetveten në radhë të parë “duke dëshmuar të vërtetën”, vepër dashurie kjo
që e nxit studentin të bëjë krahasim me vetë realitetin, i cili është shenjë e Misterit
që iu zbulohet të gjithë njerëzve. Pra, për ta kryer misionin e vet, universiteti
kërkon që “Paideia” të ndiqet nëpërmjet veprimtarisë kërkimore, mësimit dhe studimit
të disiplinave dhe “kjo nëpërmjet një studimi kritik” që është aftësia e vërtetë për
të dalluar të vërtetën, të mirën, të bukurën.” përfundoi Kardinali Skola.