2009-10-27 16:14:36

Hagë: dita e dytë e procesit të Radovan Karaxhiqit.


(27.10.2009 RV)RealAudioMP3 Dita e dytë e procesit gjyqësor që po mbahet në Hagë ndaj të pandehurit Radovan Karaxhiq, ish-udhëheqës i serbëve të Bosnjës, akuzuar për gjenocid. Ashtu si dje edhe sot i pandehuri nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Dje gjyqtarët shtynë seancën me shpresë se Karaxhiqi do të merrte pjesë në procesin e vet, por sot gjyqi hyri në një fazë të re të tij: u lexuan 11 akt-akuzat kundër Karaxhiqit, i cili, siç dihet, i ka refuzuar avokatët dhe ka thënë se do mbrohet vetë. Është ky një qëndrim që ngjason shumë me atë të Sllobodan Millosheviqit. Mbi ngjashmëritë ndërmjet këtyre dy të akuzuarve për krime lufte në mikrofonin tonë flet Masimo Nava, gazetar i gazetës “Il Corrire della Sera”, dëshmitar i konfliktit në ish-Jugosllavi. Ta ndjekim:

Përgjigje: Ka një taktikë të ngjashme, sepse me sa duket vetë përvoja e gjyqeve në Hagë ka treguar se koha, në fund të fund, është një aleate me vlerë. Nuk qe kështu për Millosheviqin vetëm për arsye shëndetësore, por gjithsesi kohëzgjatja e procedurave dhe vetë koha që nevojitet për procesin, janë në favor të të pandehurit dhe kështu që të gjithë të pandehurit në Hagë e kanë mësuar këtë taktikë.
Ndërsa gjëja e dytë që më bën përshtypje qëndron tek psikologjia e dy të pandehurve, në kuptimin që Millosheviqi jo vetëm që ka marrë pjesë në të gjitha seancat gjyqësore, por si të thuash, është përpjekur të organizojë mbrojtjen e vet në një kontekst të historizuar. Karaxhiqi, të paktën deri tani, duket se nuk po e njeh legjimitetin e trupit gjyqësor. Mënyra e tij për të fituar kohë, ndoshta është e lidhur me faktin se nuk e priste fare arrestimin. Ndoshta do ta organizojë mbrojtjen e vet me kartat që ka në dorë, e në fund do të bëjë shantazh me ndonjë nga anët e errëta të ngjarjeve që lidhen me të.

Pyetje: Sidoqoftë, fakti se njerëz si Karaxhiqi i nënshtrohen procesit gjyqësor, duke e pasë marrur dënimin e opinionit publik si kriminel lufte, nuk ia heq vlefshëmërinë këtyre lloj gjyqeve, apo jo?

Përgjigje: Këto procese kanë një vlerë ngushtësish juridike dhe me sa duket mbyllen gjithmonë me një dënim, ose me një të vërtetë juridike. Kanë pastaj edhe një funksion moral dhe politik sepse i japin opinionit publik një të vërtetë historike, një të vërtetë morale, që në njëfarë mënyre i dëmshpërblen viktimat.

Pyetje: Si e përjetojnë njerëzit sot atë të kaluar që në fund të fundit nuk është edhe aq e largët?

Përgjigje: Është e qartë se gjendja është ende shumë e ndërlikuar, mbi të gjitha në Bosnjë, ku e ardhmja nuk është e dallueshme, nuk është e prekshme në këto çaste. Bosnja mbetet një pikë delikate sepse ndarja etnike dhe alkimia institucionale që është krijuar aty nuk ka dhënë ende rezultate me vlerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.