2009-10-26 14:32:44

Papa Institutit Papnor Biblik: Shkrimi i Shenjtë, i interpretuar nga Kisha, t’u japë forcë besimtarëve për të përballuar sfidat e botës së shekullarizuar


(26.10.2009 RV)RealAudioMP3 Të afrohet Bibla me jetën e Popullit të Zotit: kjo është këshilla që u dha Benedikti XVI anëtarëve të Institutit Papnor Biblik, të cilët i priti sot paradite në Vatikan, me rastin e 100-vjetorit të themelimit. Papa, duke përshëndetur Eprorin e përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit. Atë Adolfo Nikolàs, falenderoi jezuitët, të cilëve u është besuar Instituti nga Papa Piu X që në lindjen e tij. Në të mësojnë studentë nga 60 vende të ndryshme:
“Urimi është që Shkrimi i Shenjtë të bëhet në këtë botë të shekullarizuar jo vetëm shpirti i teologjisë, por edhe burimi i përshpirtërisë e i fuqisë së fesë për të gjithë ata që besojnë në Krishtin”.
Në këtë drejtim, Instituti Papnor Biblik mund të bëjë shumë, sidomos përsa i përket formimit të profesorëve të ardhshëm të Shkrimit Shenjt. Me të vërtetë, që nga formimi i tij, instituti ka nxjerrë rreth 7 mijë profesorë. Aspekti tjetër i veprimtarisë së tij, ka të bëjë me interpretimin e teksteve biblike në dialog me disiplina të tjera, me kultura e fe të tjera. Në ndërhyrjen e tij, Papa u ndal mbi rëndësinë e Kushtetutës Konciliare “Dei Verbum”, e cila i ka dhënë hov të ri studimeve biblike:
“Ajo favorizoi në bashkësitë e krishtera një përtëritje të vërtetë shpirtërore e baritore, e cila ka të bëjë sidomos me predikimin, katekizmin, studimin e teologjisë dhe dialogun ekumenik. Për këtë përtëritjeje, Instituti juaj Papnor ka dhënë një kontribut domethënës përmes kërkimit shkencor biblik, përmes mësimit të lëndëve biblike dhe botimit të studimeve cilësore e të revistave të specializuara”.
“Dei Verbum”, vazhdoi Ati i Shenjtë, nënvizoi ligjshmërinë dhe nevojën e metodës historiko-shkencore, duke mos hequr dorë nga karakteri teologjik i ekzegjezës. Shkrimi i Shenjtë duhet lexuar e kuptuar si një gjë e vetme:
“Duke qenë Shkrimi Shenjt një gjë e vetme, duke filluar nga populli i Zotit, i cili e ka bartur gjatë historisë, si pasojë, të lexosh Shkrimin Shenjt si një e gjë e vetme do të thotë ta lexosh duke u nisur nga Kisha si vendi i tij jetësor e duke e konsideruar fenë e Kishës si çelësin e vërtetë të interpretimit”.
Tradita e krishterë, shpjegoi Papa në fund, nuk e mbyll rrugën drejt Shkrimit Shenjt, por e hap atë, pavarësisht se fjala e fundit i takon gjithnjë Kishës:
“I takon Kishës, me organizmat e saj institucionale, fjala e fundit në interpretimin e Shkrimit Shenjt. Në fakt, Kishës i është besuar detyra për të interpretuar me vërtetësi fjalën e Zotit të shkruar e transmetuar, duke ushtruar autoritetin e vet në emër të Jezu Krishtit”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.