2009-10-26 17:30:18

Në Bagdad, dhimbja pas tragjedisë


(26.10.2009 RV)RealAudioMP3 Pas tragjedisë së përjetuar dje në Bagdad, ku atentati i dyfishtë në “zonën e gjelbërt” të kryeqytetit shkaktoi 160 viktima e rreth 500 të plagosur, sot në Irak ishte ditë zie. Paradite u kremtuan funeralet e viktimave, ku u hodhën parrulla kundër kryeministrit Nuri Al Maliki, të cilit popullsia i kërkoi më tepër siguri. Nga ana e tij, presidenti irakian Zhalal Talabani thirri sot një mbledhje pikërisht mbi temën e sigurisë. Mbi gjendjen në vendin e Gjirit Persik të dëgjojmë të dërguarin e veçantë të gazetës italiane “Sole 24 ore”, Alberto Negri:
Ky episod i përgjakshëm nënvizon këtë situatë: Iraku mund të jetë çdo gjë, por jo problem i zgjidhur e vend i qëndrueshëm. Sigurisht, e kemi kthyer kokën nga ndonjë vend tjetër, nga Afganistani, Irani, por Iraku mbetet akoma problem për vetveten e për krejt bashkësinë ndërkombëtare. Megjithëse në terren ndodhen akoma 120 mijë ushtarë amerikanë, pjesa më e madhe u tërhoq në qershor nga qytetet. Kjo gjendje, pra ajo e një shteti që vazhdon të përçahet nga ndarje etnike e sektare, nuk ka të bëjë vetëm me Irakun, por edhe me shumë vende të zonës, nga Libani te Jemeni, edhe ky i shkatërruar nga një lloj lufte civile që mund të bëhet problem në të ardhmen edhe për vende shumëetnike si Irani. Prandaj, problemi i botës arabe e myslimane, që akoma nuk ka gjetur qëndrueshmërinë dhe strukturën e vet shtetërore, shtrihet deri në Afganistan.







All the contents on this site are copyrighted ©.