2009-10-26 15:39:09

Gati dokumenti i ri baritor për komunikimet shoqërore. Boca e parë u paraqit në Asamblenë plenare të Këshillit Papnor.


(26.10.2009 RV)RealAudioMP3 Filluan në Vatikan punimet e Asamblesë plenare të Këshillit Papnor për Komunikimet shoqërore kushtuar studimit të teknologjive të reja e të botës digjitale.Kisha pra është duke studiuar Udhëzimet e reja Baritore në fushën e komunikimeve shoqërore, që do të zëvendësojë ato të dokumentit Aetatis Novae, botuar më 1992.
Në hapjen e punimeve të Asamblesë, presidenti i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çelli, vuri në pah prioritetin baritor në fushën e mediave: atë të formimit në mjetet e komunikimeve shoqërore, në të gjitha nivelet e hierarkisë dhe paraqiti bocën e parë të dokumentit te ri të Keshillit Papnor mbi komunikimet shoqërore.
Zhvillimi i teknologjisë së mediave, e me të edhe zhvillimi i përmbajtjeve që teknologjia nxit apo krijon, i kërkojnë sot Kishës një azhurnim që tashmë nuk mund të shtyhet e as të lihen jashtë programeve baritore, që ende janë të lidhura me Udhëzimet Baritore të dokumentit Aetatis Novae, të cilin Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore e pati nënshkruar para 17 vjetësh nën udhëheqjen e presidentit të asaj kohe, imzot Gjon Folej.
Kisha duhet të ketë sot para sysh “situatën aktuale në fushën e mediave”, sepse ajo gjendet para sfidës që shkon nga dialogu me “kulturën digjitale”, deri te ballafaqimi me realitetet ku mediat nuk kanë një mbizotërim dhe epërsi në kontekstin shoqëroro-ekonomik, e edhe aty ku për shembull shtypi i shkruar akoma luan një rol të dorës së parë në komunikimet shoqërore. Më tutje imzot Çelli duke folur për interesimin e Kishës ndaj mediave, nënvizoi rëndësinë që Kisha duhet ta ketë ndaj botës akademike e ndaj radiove katolike, e sidomos rëndësinë për formimin në fushën e komunikimeve shoqërore të tërë klerin e të botës rregulltare dhe asaj fetare.
“Më duket se ka ardhur momentin - përfundoi imzot Çelli - ta drejtojmë vështrimin tonë drejt shtypit katolikë e botës së Internetit”, duke vlerësuar përvojat që janë mbledhur deri më tani në shumë dioqeza në dy sektorët: shtyp e internet, e kështu të shkojmë drejt së ardhmes. Sfida e madhe që Kisha duhet të përballojë sot nuk është ajo e pajisjes me mjetet më të fuqishme të transmetimit, por të jetë e aftë të dialogë me këto kultura të reja.
Edhe në botën e teknologjive të reja, Kisha e nxënësit e Jezusit mund ta kenë tendën e tyre, tendën e Jezusit, sepse vëmendja duhet t’i drejtohet burrave e grave dhe të gjithë atyre që kalojnë nëpër rrugët e botës e të gjithëve t’u kumtohet Fjala e Krishtit, Fjala që shpëton, Fjala e jetës e synimi jonë është ta bëjmë të pranishëm Jezusin në botën e njerëzve të ditëve tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.