2009-10-25 16:09:24

“Afrikë, çohu, nuk je vetëm!”: thirrje e Papës në Meshën përfundimtare të Sinodit për Kontinentin.


(25.10.2009 RV)“Çohu, Kishë në Afrikë, familje e Zotit... Guxim! Çohu, Kontinent afrikan!”: është thirrja më e fuqishme, që bëri Benedikti XVI gjatë Meshës përfundimtare të Sinodit për Afrikën, të cilën e kryesoi sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit. Në homelinë e rastit, Ati i Shenjtë bëri thirrje edhe për pajtim, duke ripohuar impenjimin e Kishës në luftën kundër urisë dhe për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. Rreth Atit të Shenjtë bashkëkremtuan Etërit sinodalë, të veshur me kazula të blerta, dhuruar nga vetë Papa.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pastaj, Benedikti XVI kujtoi Sinodin për Lindjen e Mesme, që do të mbahet në vitin 2010 dhe njoftoi se dokumentin e punës së kësaj Asambleje, do ta dorëzojë gjatë vizitës së tij në Qipro.

“Çohu, Kishë në Afrikë, familje e Hyjit... Guxim! Në këmbë, Kontinent afrikan!”.
Është mesazh shprese për Afrikën, ky që Papa i drejtoi Kontinentit nga Bazilika e Shën Pjetrit; mesazh që u përcoll nga zërat e ritmuara të koreve të bashkësisë nigeriane të Romës e të Kolegjit etiopik.
Me që plani i Hyjit nuk ndryshon në rrjedhë shekujsh – pohoi Papa – Zoti vijon të na prijë drejt të njëjtit cak, drejt Mbretërisë së lirisë e të paqes për të gjithë. E, posaçërisht, u prin vëllezërve afrikanë, që vuajnë nga varfëria, sëmundjet, padrejtësitë luftërat, përdhuna, shpërnguljet e detyruara. Bij të dashur të Hyjit – i quajti Benedikti XVI - duke u kujtuar, më pas, se Zoti vijon t’u përsërisë thirrjen:
Po, besimi në Jezu Krishtin – kur kuptohet e praktikohet mirë – u prin njerëzve dhe popujve drejt lirisë e vërtetësisë, ose, për të përdorur tri fjalët e temës sinodale, drejt pajtimit, drejtësisë e paqes”.
Kjo është Kisha në botë – vijoi Ati i Shenjtë – bashkësi njerëzish të pajtuar, që punojnë me gjithë zemër për drejtësinë e paqen; kripë e dritë, në mes të shoqërisë së njerëzve e të kombeve:
“Sinodi ripohoi me forcë – dhe e tregoi qartë – se Kisha është familje e Zotit, në të cilën nuk mund të ketë ndarje mbi bazë etnike, gjuhësore apo kulturore. Dëshmi prekëse na treguan se, edhe në çastet më të errëta të historisë njerëzore, Shpirti Shenjt është në veprim e i shndërron zemrat e viktimave e të persekutorëve, duke i vëllazëruar. Kisha e pajtuar është tharm i fuqishëm pajtimi në vendet e ndryshme e në mbarë Kontinentin Afrikan”.
Më pas Papa u ndalua në mënyrë të veçantë tek forma meshtarake e Kishës, meshtarí e transmetuar nga Krishti, me vlerë jetike. Bashkim me Jezusin, përmes Sakramenteve – pohoi Benedikti XVI – Kisha është vazhdim i veprimit të tij shpëtimtar, përcjell mesazhin e shëlbimit, duke e lidhur gjithnjë e më ngushtë ungjillëzimin me zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. Për këtë, Papa citoi si shembull, Enciklikën historike ‘Populorum Progressio” të Palit VI:
“Atë që Shërbëtori i Hyjit, Pali VI, e hartoi me terma reflektimi, misionarët e realizuan e vijojnë ta realizojnë në fushën e betejës, duke nxitur një zhvillim, i cili i respekton kulturat vendase dhe ambientin, sipas një logjike që sot, pas 40 vjetësh, duket e vetmja që mund t’i ndihmojë popujt afrikanë të shpëtojnë nga skllavëria e urisë dhe e sëmundjeve”.
Kjo do të thotë të transmetosh kumtimin e shpresës, sipas ‘formës meshtarake’ – shpjegoi Papa – domethënë, duke e jetuar personalisht Ungjillin e duke e vënë në bazë të projekteve, që përkojnë plotësisht me parimin themelor të dashurisë. Prandaj Benedikti XVI rikujtoi kërkesën për risimin e zhvillimit global, në mënyrë që t’i përfshijë mbarë popujt e, prej këndej, u ndalua tek globalizimi:
“Ky – duhet ta kujtojmë – nuk do kuptuar fatalistikisht, sikur zhvillimi i tij të ishte pasojë e veprimit të forcave impersonale e të pavaruara nga vullneti njerëzor. Globalizimi është realitet njerëzor e, si i tillë, mund të modifikohet sipas njërës apo tjetrës bazë kulturore. Kisha punon me konceptimin e saj personalist e komunitar, për të orientuar procesin me termat e racionalitetit, të vëllazërisë e të ndarjes së përbashkët”.
Më pas Benedikti XVI iu drejtua Afrikës dhe e nxiti të ngrihet, për të nisur me guxim rrugën drejt ungjillëzimit të ri:
“Veprimtaria urgjente ungjillëzuese (...) përfshin edhe thirrjen e ngutshme për pajtim, kusht i domosdoshëm për të vendosur në Afrikë lidhje të drejta ndërmjet njerëzve e për të ndërtuar një paqe të ndershme e të qëndrueshme, duke respektuar çdo individ e çdo popull; një paqe, që ka nevojë për të gjithë njerëzit vullnetmirë, pa marrë parasysh përkatësitë fetare, etnike, gjuhësore, kulturore e shoqërore”.
Në këtë mision impenjativ – vijoi Papa – Ti, Kishë shtegtare në Afrikën e mijëvjeçarit të tretë, nuk je vetëm: mbarë Kisha katolike është pranë teje me lutje e solidaritet aktiv e, nga qielli, të shoqërojnë shenjtorët e shenjtoret afrikane. E atëherë, merr zemër – vijoi të bëjë thirrje Benedikti XVI – çohu, Afrikë e pranoje me entuziazëm Ungjillin:
Ndërsa jep bukën e Fjalës e të Eukaristisë, Kisha impenjohet edhe të veprojë me çdo mjet të mundshëm, që asnjë afrikani të mos i mungojë buka e përditshme. Prandaj, njëherësh me veprimtarinë urgjente të ungjillëzimit, të krishterët janë aktivë në të gjitha veprimtaritë, që kanë të bëjnë me zhvillimin e njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.