2009-10-25 17:39:14

Ndeshje në Jeruzalem, në Sheshin e Xhamive: të paktën 20 të plagosur.


(25.10.2009 RV)Në Lindjen e Mesme, pas një periudhe pak a shumë të qetë, besimtarët islamikë e policia izraelite u ndeshën përsëri sot paradite në Sheshin e Xhamive të Jeruzalemit, një nga vendet më të shenjta për Islamin, por jo më pak për Hebraizmin.
Policët përdoren gaz lotësjellës kundër dhjetra të rinjve palestinezë, të cilët reaguan dhunshëm kundër vizitorëve - të huaj e izraelitë – që po hynin në vendin e shenjtë. Çrregullimet, gjatë të cilave policia u gjuajt me gurë e me lëndë ndezëse, u bënë shkak për arrestimin e rreth 20 personave e për plagosjen e po aq të tjerëve. Situata duket nën kontroll. Zona u mbyll menjëherë për publikun, ndonëse në Xhami janë ngujuar rreth njëqind besimtarë islamikë, që nuk duan të largohen. Ishte e natyrshme, prandaj, frika, që ndeshjet të rinisnin sonte, kur gjatë një takimi të organizuar nga një grup ultra-ortodoks izraelit, pritej të pohohej e drejta e hebrenjve për të hyrë e për t’u lutur në Sheshin e Xhamive. Kjo nismë i alarmoi liderët islamikë vendas, të cilët u kërkuan besimtarëve ta mbrojnë Xhaminë al-Aksa, që ndodhet fare pranë Murit të Lotëve. Policia njoftoi se do të marrë masa të rrepta kundër lëvizjes islamike në Izrael, pas kërkesës së ndonjë politikani për ta nxjerrë jashtë ligji.
Të rënda reagimet e Autoritetit kombëtar Palestinez, të al-Fatah e të Hamasit, që e ngarkuan policinë hebraike me akuzën se ka dhunuar shenjtërinë e Sheshit. Ndërsa policët u kritikuan ashpër nga e djathta nacionaliste izraelite, sepse e lanë Sheshin në dorë të besimtarëve islamikë, të gatshëm për të shkaktuar turbullira të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.